Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do ta vizitojë Serbinë më 17 janar ku do të pritet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq më 17 janar në Beograd do të bisedojnë mbi të gjitha për Kosovën.

Lideri rus sërish do ta porosisë Perëndimin se lufta me Serbinë do të thotë luftë edhe me Rusinë.Putin do t’i sjellë Vuçiqit garanci për mbështetje në rast të nevojës për ta mbrojtur Kosovën.

“Informer” shkruan se presidenti rus së bashku me nikoqirin e tij do të bisedojmë për Kosovën dhe ruajtjen e sovranitetit serb, transmeton lajmi.net.

Sipas informacioneve, Putin për kolegun e tij serb, por edhe opinionin, do të sjellë një porosi të qartë se Beogradi mund të llogaris në mbështetjen e pakusht të Moskës në zgjidhjen e problemit në Kosovë.

“Vizita e Putinit në Beograd ndodh në një prej momenteve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për Serbinë. Zyrtarët në Beograd gjenden nën presion të madh të Perëndimit për të zgjidhur çështjen e Kosovës në dobi të shqiptarëve. Për shkak të kësaj, tema kryesore e takimit të tyre do të jetë ‘mbrojtja e Kosovës’, ndërsa Putin do të japë garanci se Moska nuk do ta lë Serbinë të vetmuar”, ka thënë një burim i “Informer”.

“Në Beograd pritet të nënshkruhen së paku 20 marrëveshje strategjike, mes të cilave edhe ndërtimin e korridorit hekurudhor, porosinë e tankeve dhe raketave PVO, transportimin e mallrave serbe në Rusi, e të tjera”, shtoi ai. Ambasadori rus, Aleksandar Çepurin ka thënë se Kosova do të jetë “shumë lartë” në agjendën e bisedimeve të dy presidentëve.

“Takimi i ardhshëm mes presidentit të Serbisë dhe Rusisë, i treti në nëntë muajt e fundit, do të jetë konfirmim i mbështetjes dhe mirëkuptimit por edhe mundësi që të diskutohet për mbrojtjen e interesave kombëtare, dhe jo për të kënaqur interesat e Perëndimit”, tha ai, transmeton lajmi.net.“Do të diskutohet për një koordinim të përpjekjeve në strukturat ndërkombëtare. Rusia do të jetë partner i pandashëm i Serbisë”, u shpreh Çepurin.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme