Ballkani ndodhet aktualisht në një udhëkryq dhe rruga për të dalë në drejtimin e duhur, do të definohet vetëm kur të ketë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të përfshijë ose jo korrigjimin e kufirit.

Debatet për shkëmbime territoresh kanë ndezur ndërkohë “gjakrat” në rajonin që ka qenë përherë vatër tensionesh, ndërsa pritet me kërshëri rezultati që do të prodhojë Samiti që do të zhvillohet në fillim të marsit në Tiranë, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e Ballkanit.

Pjesëmarrjen në këtë samit e ka konfirmuar së fundmi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një takimi që pati me homologun e tij slloven.

Gjatë diskutimeve presidenti Vuçiq dhe Pahor kanë cekur së bashku çështjen e rishikimit të territorit të Kosovës, me të parin që ka bërë thirrje për t’u dëgjuar edhe interesat e shqiptarëve dhe sllovenin që e vendosi theksin te impakti i vendimit final në të gjithë rajonin.

Kjo temë e nxehtë që po “djeg” Ballkanin pritet të shtrohet në tryezën e bisedimeve edhe në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Briunit, në datat 7 dhe 8 mars, pasi siç e tha presidenti i Sllovenisë, ky do të jetë një takim i rëndësisë së lartë.

“Ky është një proces që në radhë të parë duhet të jetë tolerant, i besueshëm dhe me zgjidhje paqësore e të mos sjellë probleme të tjera në rajon. Unë nuk do ta hedhja këtë si një zgjidhje, por do të isha shumë, shumë i kujdesshëm”, tha Pahor. /Shqip

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme