Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar të martën Britaninë e Madhe, për qëndrimin që ka shfaqur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Nëpërmjet një shkrimi, të publikuar në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet, Haradinaj ka thënë se është “mirënjohës dhe falënderues për qasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj”.
“Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka thënë Haradinaj.
“Kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka thënë Haradinaj.