Gjatë ndeshjes futbollistike në mes të K.F. “Lugina” dhe klubit nga Levosoja, në fushën e kësaj të fundit, futbollistët dhe stafi i K.F. “Lugina” u sulmuan dhe pësuan lëndime fizike. Këtij sulmi fizik ndaj lojtarëve të K.F. “Lugina” i paraprinë fyerjet në baza racore e kombëtare.

E dhimbshme kur klima diskriminuese dhe fyese ndaj pakicës Shqiptare në Serbi në rrafshin politik reflekton edhe në art, kulturë dhe sport. Aq më e rëndë kur kjo urrejtje arrin deri edhe në sulme fizike, sikur rasti i ditës së djeshme. Gjithë kjo vjen si pasojë e politikës antishqiptare shtetërore, e cila përmes mediave qendrore përcillet edhe në mbarë popullsinë.

Andaj, me këtë rast, dënojmë autorët e këtij incidenti, qoftë edhe vetë klubi nga Levosoja si nikoqir i kësaj ndeshje të japin përgjegjësi në mënyrë që raste të ngjashme si ky të mos përsëriten asnjëherë në të ardhmen. Komuna e Bujanocit do të kërkojë raport zyrtarë nga KF Levosoja, për këtë incident, kjo edhe për arsye se edhe klub, sikurse klubet tjera në territorin e komunes, financohet dhe ndihmohen nga Buxheti, mjete këto që janë të destinuara për të ruajtur e kultivuar bashkëjetesën e jo për të mbjellë urrejtjen.

Në të njejtën kohë futbollistëve të dëmtuar nga ky incident i pafalshëm i uroj shërim të shpejtë, kurse K.F. “Lugina” i uroj suksese të mëtutjeshme, duke kërkuar nga udhëheqësit e klubit që ky rast mos të shërbejë si dekurajim për ta, ashtu siç ndoshta edhe ka qenë qëllimi i atyre që kanë shkaktuar incidentin.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme