Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti sot priti rreth 30 studentë e të rinj nga organizata “Shpresa” e Luginës së Preshevës.

Kryetari Kurti tha se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kanë kontribuar shumë në luftë e në paqe, për Kosovë e për Shqipëri, porse në fund çmimin më të lartë e paguan ata sepse mbetën edhe jashtë Kosovës edhe jashtë Shqipërisë.

 

Kryetari i organizatës “Shpresa”, z.Nevzad Lutfiu, njoftoi kryetarin Kurti për programin dhe aktivitetet e shumta të tyre. U zhvillua një bashkëbisedim i hapur e i përzemërt për shumë tema: mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës nga Serbia, shpërnguljen e popullsisë që shkakton rënien e përvitshme të nxënësve që regjistrohen në shkolla, e deri te domosdoshmëria e angazhimit serioz të Prishtinës e Tiranës për ta ndihmuar e mbështetur popullsinë shqiptare që ngelet e diskriminuar në çdo lloj të të drejtave e në secilin aspekt të progresit socio-ekonomik.

Mbi të gjitha u theksua nevoja e parimit të reciprocitetit, aq më tepër kur dihet se më shumë ka shqiptarë autoktonë në Serbi sesa serbë në Kosovë. Serbia do integrim të shpejtë për vete në Bashkimin Evropian, por kjo nuk mund të ndodh pa njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e respektimin e të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme