Në gjykimin e rastit “Syri i Popullit” ka dhënë dëshminë e saj Albulena Haxhiu, bashkëpartiake e të akuzuarit për rastin e njohur si “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja.

Deputetja Haxhiu para trupit gjykues tha se e njeh vetëm të akuzuarin Ramabaja, kurse për personat tjerë ka dëgjuar vetëm pas plagosjes së Azem Vllasit.

 

“Nga të akuzuarit e njoh vetëm Sadri Ramabajën, ndërsa të tjerët vetëm pas rastit që ka ndodhur emrat që janë përfolur”, tha Haxhiu.

E pyetur nga prokurori special Sylë Hoxha se a ka dëgjuar ndonjëherë për organizatën “Syri i Popullit”, deputetja Haxhiu tha se kishte dëgjuar vetëm në media pasi kishte ndodhur rasti i plagosjes së Vllasit.

“Të gjitha informacionet i kam pas rastit që ka ndodhur të gjitha ato që janë përfolur në media”, tha ajo.

 

Prokurori Sylë Hoxha e pyeti deputeten Haxhiu se “A ju ka ftuar dikush në emër të ndonjë organizate dhe ju ka dhënë ndonjë detyrë apo ndonjë post?”.

“Unë jam anëtare, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010. Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë pjesë e ndonjë organizate tjetër. Që nga 2010 kam qenë në Vetëvendosje dhe vazhdoj të jem aty”, u përgjigj Haxhiu.

Prokurori Hoxha më tej e pyeti deputeten se “…a e njeh një person me emrin Mona shtetase Romune?”.

“Emrin e saj e kamë dëgjuar vetëm në portale, asnjëherë me parë nuk e kam takuar një person me emër të tillë”, tha bashkëpartiakja e të akuzuarit, Sadri Ramabaja.

Prokurori Sylë Hoxha më tej deklaroi se Albulena Haxhiun e ftuar në cilësi të dëshmitares, pasi që asaj kjo organizatë i ka ndarë disa detyra për të cilat Haxhiu ka deklaruar më herët se nuk ka qenë në dijeni.

Lidhur më këto deklarata të prokurorit pati vërejtje avokati i të akuzuarit Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi.

“Ligji është shumë i qartë. Dëshmitarët ftohen vetëm për gjërat që i kanë ditur ose i kanë parë dhe asnjëra nga këto sipas dëshmitares nuk qëndron. Jam i bindur se prokurori me dëshmitarë të tillë këtë aktakuzë të pabazë e mbështetë vetëm në emra”, tha avokati Krasniqi.

Lidhur me këtë, deputetja Albulena Haxhiu tha se nuk e di se kush mund ta përdorë emrin e saj.

“Asnjëherë në jetë time nuk kam qenë e kontaktuar nga një organizatë e tillë. Unë jam person publik dhe nuk mund ta di se kush si e përdor emrin tim. Unë kam dhënë deklaratë në polici dhe kam besuar se çdo fjalë do të përfundoj aty. Edhe për t`u caktuar dëshmitar duhet të plotësohen disa kritere. Është absurde, e papranueshme. Por me lejoni të them një gjë unë deklarova qysh në fillim se e njoh të akuzuarin Sadri Ramabaja për aktivitetin e tij si në VV, si më herët dhe nuk besoj se një person i tillë intelektual do të mund të përfshihej në vepra të tilla”, deklaroi Haxhiu.

Në seancën e sotme dëshminë e tij në gjykimin e rastit të njohur si “Syri i Popullit” e ka dhënë edhe ish deputeti i PDK-së Shaip Muja.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme