Borrell ka deklaruar se në takime me krerët e shteteve ka prezantuar pritjet e qarta të BE-së.
Për Kosovën, si pritje ka përmendur ndaljen e veprimeve policore në objektet komunale në veri e që përkohësisht katër kryetarët të ushtrojnë detyrat jashtë objekteve komunale. Për Serbinë, ka thënë se pritja është që protestuesit të tërhiqen në të njëjtën kohë me tërheqjen e policisë. Ai ka thënë se më pas duhet të ketë zgjedhje të parakohshme e të ketë pjesëmarrje të plotë edhe nga serbët.
Një tjetër propozim që Borrelli ka thënë se e ka shtruar në tavolinë është kërkesa për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që tre policët kosovarë të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi, të lirohen menjëherë dhe pa kushte.
“Kam kërkuar nga presidenti Vuçiq që tre policët kosovarë që po mbahen në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka thënë ai.
Borrelli ka thënë se janë të papranueshme “arrestimet arbitrare dhe keqtrajtimet e të burgosurve”. “EULEX-i do të luajë rol të fortë në monitorim”, ka thënë ai.
Pas takimeve katërorëshe me palët, Borrelli ka thënë se dy liderët e dinë ashpërsinë e situatës, megjithatë të dy kanë qasje dhe interpretime të ndryshme.
Ai më tej ka njoftuar se bashkë me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të jenë në kontakt të ngushtë me palët, si dhe gjatë ditëve në vijim do të raportojnë te ministrat e jashtëm të BE-së.