Çfarë përfitoi Komuna e Bujanocit nga nënshkrimi i memorandum bashkëpunimit me organizatat “People in Need” dhe “Peaceful Change Initiative”?!

Në vazhdën e memorandumeve të nënshkruara nga Komuna e Bujanocit, bën pjesë edhe memorandum bashkpunimi i nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, me organizatat joqeveritare “People in Need” dhe “Peaceful Change Initiative” për implementimin e projektit “Fuqizimi i zërave lokal për zhvillim të barabartë” ose në titullin origjinal Amplifying Local Voices for Equitable Development, shkurtimisht “ALVED”, i cili kishte për qëllim të sigurojë çasje më të mirë në shërbimet sociale, përfshirë edhe komunitetet pakicë dhe kushte më të mira për të rinjët në nivel lokal, e që financiarisht do të mbështetet nga Qeveria e Britanisë së Madhe.

Sipas njoftimeve nga këto organizata projekti do të zgjasë 30 muaj, ndërkaq implementohet nga rrjeti i pesë organizatave, prej të cilave dy janë ndërkombëtare – Peaceful Change Initiative dhe People in Need, ndërkaq PEN nga Prishtina, Aktiv nga Mitrovica e Veriut dhe Iniciativa Qytetare nga Beogradi.

Kaluan disa muaj nga nënshkrimi i memorandumit dhe asnjë rezultat i qartë nuk shihet. Transparenca mungon në secilin proces të përzgjedhjes nga organizatat implementuese të projektit “ALVED”.

Në nëntor “Gradjanske Inicijative” hapi konkurs për koordinator tereni në tri komunat në jugun e Serbisë, Bujanoc, Leban dhe Vranjë ku do të implementohej projekti. Në konkursin e tyre thuhej që koordinatori, punës duhet t’ia fillojë në dhjetor të vitit 2020.
Rezultatet e këtij konkursi nuk u publikuan, e koordinatorët që u përzgjodhën filluan punën tek në muajin shkurt të vitit 2021, domethënë dy muaj me vonesë.

Në të njejtën kohë paralelisht u zhvillua edhe një konkurs tjetër për përzgjedhjen e një koodinatori tjetër tereni nga vet “People in Need”, në mesin, e të cilëve aplikuan disa të rinjë nga Komuna e Bujanocit. Edhe kjo përzgjedhje ishte jo transparente. Sepse, kandidati i parapëlqyer, nuk u përzgjodh edhe pse atij për të kuptuar se nuk do përzgjedhet iu deshtë të priste 5 muaj të tërë.
Në procesin e stërzgjatur për përzgjedhjen e kandidatit për koordinator nuk u përfill kushti që kandidati i përzgjedhur duhet të njohë gjuhën shqipe, pasi që projekti po implementohet në bashkëpunim me një komunë ku gjuha shqipe është në përdorim të barabartë zyrtar me gjuhën serbe.
Përveç këtyre parregullësive të lartëpërmendura, ka shumë pakënaqësi edhe lidhje me konkursin për ndarjen e granteve të vogla me vlerë prej 25.000euro, organizatave joqeveritare nga këto tri komuna, i cili u hap në janar të vitit 2021. Në këtë konkurs thuhej që inkurajohen të aplikojnë të gjitha organizatat nga Komuna e Bujanocit, Vranjës dhe Lebanit, ndërkaq propozim projektet e tyre duhet të trajtojnë si temë kryesore pasojat e virusit COVID-19.

Rezultatet e përfituesëve të këtyre granteve nuk u publikuan asnjëherë. Sipas informacioneve jozyrtare dimë që nga Komuna e Bujanocit, si përfituese është zgjedhë vetëm një organizatë, e cila fitoi një grant prej 13.000 euro, dmth sa gjysma e shumës që ata kishin premtuar. Çfarë ndodhi me aplikacionet e organizatave tjera?!

Në Vranjë dhe Leban, gjithashtu përfituan disa organizata joqeveritare, po askush nuk e di kush janë ato, çfarë vlere të granteve ato përfituan, cilat janë projektet që ato do të realizojnë?!
Pse nuk u bënë publike këto informacione?!
A thua vallë, çfarë fshihet pas gjithë kësaj katrahure të shkaktuar nga implementuesit e e këtij projekti?!
Çfarë dobie pati Komuna e Bujanocit në gjithë këtë mes?!

Ka shumë pikëpyetje në lidhje me realizimin e këtij projekti, shumë vlera të mëdha parash janë në pyetje, e me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, në shkollat e mesme në Bujanoc, u mbollën nga katër drunj të llojit brezë, për të shënuar këtë ditë….!

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme