Mesazhi i një prej zyrtarëve të lartë të BE-së, komisionerit të zgjerimit Johannes Hahn se shkëmbimi i territoreve mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, tregon se Brukseli është duke u përpjekur që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë.

Kështu shkruajnë mediat në serbi, përcjell Telegrafi, duke rikujtuar deklaratën e Hahn, i cili dy ditë më parë ka thënë se shkëmbimi i territorit mes Serbisë dhe Kosovës mund të jetë pjesë e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, duke theksuar se i vetmi parakusht për BE-në është se çdo marrëveshje duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Unë shpresoj se një zgjidhje për çështjen e emrit të Maqedonisë të shërbejë si një shenjë paralajmëruese për zgjidhjen e konflikteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe bllokimin në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Hahn për “The Washington Post”.

Lidhur me këtë, po sipas mediave serbe, ministri i Jashtëm Ivica Daçiq është i kujdesshëm dhe thotë se Serbia është duke pritur që Prishtina të bëjë e para lëvizjen.

“Le të heqim qafe taksat, pastaj ta shohim. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në Berlin më 29 prill”, ka thënë Daçiq.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme