Juventusi do t’i zyrtarizojë De Ligtin e Rabiotin të hënën, kështu raportojnë mediat italiane.
Adrien Rabiot do t’i kryejë testet mjekësore të hënën në mëngjes, raportojnë media të shumta në Itali, para se francezi të nënshkruajë kontratë 4-vjçare.
Marrëveshja është arritur këtë javë, por “Zonja e Vjetër” ka preferuar të presë deri më një korrik kur t’i skadojë kontrata me Paris Saint-Germainin – të hënën.
Për lojtarin janë interesuar edhe Manchester United dhe Barcelona, por është bindur me projektin e Juventusit.
Rabiot do të fitojë 7 milionë euro në sezon te Juve, kurse 10 milionë do të shkojnë për nënën e futbollistit dhe njëherit agjenten e tij, që ka mundësuar këtë lëvizje si lojtar i lirë.
Raportohet se Rabiot do të arrijë sonte në Torino në mënyrë që nesër më mëngjes t’i kryejë testet mjekësore.
Të hënën, gjithashtu pritet që Juventusi të njoftojë për arritjen e marrëveshjes për kapitenin e Ajaxit. Matthijs de Ligt.
De Ligt do t’i kushtojë Juventusit 67 milionë euro plus 13 milionë në varësi prej arritjeve në sezonin e parë me Juven.
Kurse, tashmë Luca Pellegrini ka kryer testet mjekësore dhe pritet vetëm zyrtarizimi për të kompletuar transferimin nga Roma, derisa është larguar në drejtim të kundërt Leonardo Spinazzola.