Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ditës së shtunë, thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media për të njoftuar për marrëveshjen e fundit për demarkacionin. Haradinaj, u tha gazetarëve se është vendosur të dërgohet për votim në Kuvend marrëveshja, të cilën e kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës, ku raporti i Komisionit të emëruar nga ai, do të jetë vetëm si fakt orientues.

Për këtë marrëveshje, vetëm dy ditë më parë, Haradinaj i kishte ofenduar deputetët e LDK-së, madje u kishte thënë se derisa të jetë ky kryeministër, e njëjta nuk do të vijë në Kuvend. Por, edhe kësaj radhe u pa një ‘sakrificë’ e Haradinajt, karshi pozitës së kryeministrit. Në këtë mënyrë, Haradinaj nuk e përfilli raportin e Shpejtim Bulliqit, të emëruar vetë si kryetar i Komisionit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

I kontaktuar nga gazeta, Kryetari Komisionit,  Shpejtim Bulliqi, ka thënë se nuk ka koment rreth veprimit të fundit të kryeministrit Haradinaj.

Ndërkaq, ish kryetari i këtij komisioni, Murat Meha, të cilin Haradinaj e quajti ‘peder’ duke mos u pajtuar me vlerësimin e tij për demarkimin e kufirit, nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Vetë Haradinaj e kishte shkarkuar Mehën nga ky komision, për të vendosur në vend të tij Shpejtim Bulliqin, raportin e të cilit e ‘hodhi’ poshtë.

Reagimi i Vetëvendosjes

Të dielën, Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media e ka pyetur kryeministrin Haradinaj se kush mund të bashkëpunoj me të, derisa ia ka vendos vetës vulën e tradhtarit.

“Kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Më tutje, thuhet se Kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët.

“Qëndrimi i tij është zmbrampsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare”, thuhet në komunikatë.

Islami: Ramush Haradinaj duhet t’i kërkoj falje popullit

Image

Gazmend Islami

Ndërkaq, kryetari i Ballit Kombëtar, Gazmend Islami, ka thënë se Haradinaj, duhet të kërkojë falje dhe të jap dorëheqje për gafat e tij në politikë. Islami, thotë se Haradinaj përveç që ka shkelur fjalën e dhënë, ka shkelur edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj, që së pari Ramush Haradinaj duhet t’i kërkoj falje popullit shqiptar në Kosovë dhe të paraqes dorëheqjen për gafat e tij politike të mëdha të cilat i ka bërë, sidomos gjatë tri viteve të fundit, i cili e ka mbajtur peng Kosovën me çështjen e demarkacionit. Tash po shihet se kjo ka qenë më tepër një farsë e tij politike dhe mendoj që Ramush Haradinaj, ka shkelur jo vetëm fjalën e dhënë, por edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të jap përgjegjësi dhe para gjykatës, sepse çështja e demarkacionit, mendoj se është çështje shumë e ndjeshme dhe këto lojërat e tij politike, të cilat i ka bërë tash e tri vite, po shihet që qëllimi i tij ka qenë për të arritur në pushtet”, thekson Islami.

Ai thotë më tutje, se Ramush Haradinaj gabimin e parë fatal të tij e ka bërë në momentin kur ka hyrë në koalicion me PDK-në.

“Para asaj periudhe kohore ka qenë kundërshtuesi më i fuqishëm i Hashim Thaçit dhe po me të njëjtit bëri koalicion dhe miratoj politikat e tyre. Shihet qartë që PDK-ja dhe Kadri Veseli qëllimin final që ta djegin Haradinajn si figurë politike dhe të shkojnë në zgjedhje politike, ku pretendojnë që një ditë ta arrijnë majën e pushtetit Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, që do të bëhet një model Putin-Medvedev”, thekson ai.

Zogaj: Partitë i frynë zjarrit për ta thelluar krizën

Image

Skënder Zogaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi është ‘një aksident” i rëndë, por i rastësishëm që ka ndodhur.

“Unë kështu e shoh gjithë procesin dhe kam vërejtje të thellë ndaj gjithë partive politike që, në vend të angazhimit serioz për ta kërkuar me kohë zgjidhjen e mundshme, i kanë fry zjarrit për ta thellu krizën për qëllime përfitimesh partiake, pa e menduar se, po e dëmtonin embrionin e shtetësisë, lirisë, pavarësisë dhe të fatit historik të Kosovës! Kemi shumë vite të humbura por, po dua të shpresoj së do të shfrytëzohen mirë minutat e fundit dhe të ndodh zgjidhja që i duhet popullit të Kosovës! Kjo është ajo që na duhet, të tjerat duhet harruar njëherë e përgjithmonë”, vlerëson Zogaj.

Ndërkaq sa i përket asaj, që a duhet t’i kërkoj falje Haradinaj, Murat Mehës që dikur e quajti ‘peder’, Zogaj thotë se ajo varen nga edukata dhe morali.

“Sa i përket kërkim të faljeve, kjo varet nga edukata, morali dhe forca shpirtërore e individëve nga ana e palëve të kundërshtuara! Kërkim faljet do të duhej të ndodhnin, por kurrsesi askush nuk guxon të shpikë tradhtar ose heronj, sepse kjo do të ishte më shumë se mallkim! Unë jam i bindur se çështja e demarkacionit do të vetëdijesojë klasën politike të Kosovës që kurrë më të mos bëj gabime të këtilla”, thekson Zogaj për “Bota sot”.

Haziri: Kryeministri i doli kauza e rrejshme

Image

Nexhat

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, thotë se deklarata e së shtunës e kryeministrit Haradinaj, është reflektim i tij në raport me rrethanat e krijuara sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Atij iu sos sokaku, siç thuhet në zhargonin popullor, dhe ishte i detyruar për ta pranuar marrëveshjen e vitit 2015, në mes Kosovës dhe Malit të Zi, sa i përket kësaj çështje. Pra, kryeministri Haradinaj, tashmë është i obliguar që qytetarëve të Kosovës t’iu kërkoj falje pasi i shkaktojë shumë dëme vendit me kauzën e tij të rrejshme sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kujtojmë gjithë atë gaz që u hedhë në parlament, ku u dëmtua mjaft shumë imazhi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, rrëzimi i qeverisë Mustafa,me ç’rast vendi shënoi ngecje të mëdha në shumë procese, vonimi i liberalizimit të vizave dhe izolomi i vendit. Pra janë këto dëme që i janë shkaktuar vendit me kauzën e z. Haradinaj  për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në një shoqëri normale vetëm kërkim falje nuk do të mjaftonte, nëse kjo nuk d të shoqërohej edhe me dorëheqje”, ka potencuar ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme