Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në të. Por, ai e pranon se në atë plan Kosova e merr një obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. Dhe meqë këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas tij, duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.
Kreu i Kuvendi i bëri komentet në një deklarim për Ekonomia Online dhe disa medie të tjera në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka thënë se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar që të ruhet konfidencialiteti dhe Plani i njohur fillimisht si Franko-Gjerman, të mos bëhej publik. Ai ka zbuluar se kryeministri Albin Kurti e ka pasur këtë plan që nga shtatori 2022.
“Këtë plan Qeverisë, mesa e di unë, përfaqësuesit gjermanë dhe francezë ia kanë dorëzuar në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ky plan është kërkuar nga vetë propozuesit që mos të ndahet shumë me publikun, të kufizohet maksimalisht për shkak që përderisa palët janë në biseda e sipër dhe u prezantohet fillimisht atyre, sepse procesi mund të shkatërrohet nëse nuk ruhet konfidencialiteti”, tha Konjufca.