Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka publikuar raportin mbi funksionimin e grupeve kriminale që kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj.

Grupet kriminale në Ballkanin Perëndimor kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave, si dhe mallrave të tjera. Kështu thuhet në raportin e publikuar dje në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.

Mark Shaw, drejtor i Iniciativës Globale (GI), ka theksuar me këtë rast se raporti analizon aktivitetet e paligjshme në zona kufitare, qytete kryesore, qytete bregdetare, si dhe nyje transporti ku kryqëzohen autostradat.

Ndonëse raporti nuk ndalet në mënyrë të veçantë mbi lëvizjen e mallrave kontrabandë, gjatë studimit bëhet e ditur se është krijuar një listë e përditësuar e trafiqeve të paligjshme në korridoret ballkanike, si dhe janë identifikuar pikat dhe faktorët e dhunës në rajon.

“Të bën përshtypje fakti se shumica e aktiviteteve të paligjshme në këtë rajon kanë të bëjë me trafiqe që hyjnë ose dalin nga vende të Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur Shaw, duke shtuar se BE-ja i ka mundësitë dhe përgjegjësinë që të ushtrojë presion të mjaftueshëm për të shkatërruar këto tregje të paligjshme, duke reduktuar ndikimin e krimit të organizuar mbi vendet e Ballkanit dhe kjo është në vetë interesin e BE-së.

Raporti, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, po ashtu shqyrton zona problematike në kontekstin e një ekosistemi më të gjerë të krimit, që karakterizohet nga klientelizmi, patronazhi politik dhe në disa raste edhe nga kapja e shtetit, ku potencohet se ata politikanë që luajnë rolin e nacionalistit të flaktë shpesh janë përgjegjës për dobësimin nga brenda të sovranitetit të shtetit dhe janë të gatshëm të vënë në rrezik interesat kombëtare për përfitime personale.

Sa i përket pjesës së raportit për Kosovën, aty mund të lexohet një profil për veriun e Kosovës si një zonë problematike. Për Prishtinën thuhet se ndër aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në kryeqytet është edhe trafikimi i drogës, për qytetin e Pejës thuhet se ushtrojnë ndikimin e tyre disa figura me peshë politike në vend, ndërsa për qytetin e Ferizajt në raport thuhet se konsiderohet si zonë problematike për trafikimin e drogës, veçanërisht kanabis dhe heroinë. “Grupet kriminale që operojnë në këtë qytet thuhet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore (për prostitucion), dhënie huash me interesa shumë të larta, si dhe zhvatje e shantazhe në lidhje me pronësinë e tokave”, thuhet mes të tjerash në raportin e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilin e posedon “Zëri”

Image
Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme