Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Google+ Shpërndaj në Reddit Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Shpërndaj në Tumblr Në kohën kur në hapësirat shqiptare po diskutohet nëse duhet apo jo që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, një fond mbështetjeje që shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kishin premtuar për shqiptarët e kësaj treve pothuajse është harruar. Në mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila u mbajt në vitin 2014 në Prizren, u aprovua vendimi për “Fondin e përbashkët për Luginën e Preshevës”, me të cilin dy shtetet zotoheshin se do të ndihmonin shqiptarët në Luginë. Por, ndërsa kanë kaluar gati pesë vjet, për këtë fond nuk flitet më. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, thot se nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me funksionalizimin e këtij fondi. Pavarësisht premtimeve të shumta, të dy konsiderojnë se Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Luginë. Ragmi Mustafa, në një deklaratë për Koha.net, ka thënë se ky këshill, me marrjen e detyrave nga qeverisja e re, i është drejtuar dy qeverive me një shkresë, para mbledhjes së tyre të përbashkët, të mbajtur më 26 nëntor 2018 në Pejë. Nga asnjëra palë ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Atëherë, si dhe në shkresat e tjera, apo edhe në takime kemi avokuar e kërkuar që të vihet në funksion vendimi mbi ‘Fondin e përbashkët për Luginën e Preshevës’, i aprovuar në mbledhjen e parë të përbashkët në vitin 2014, në Prizren. Atëbotë janë derdhur 100 mijë euro mbështetje për maternitetin në Komunën e Preshevës”, ka thënë Mustafa, që sipas tij, në Luginë e konsiderojnë të domosdoshëm funksionalizimin e këtij fondi. “Ndryshe do të shpenzohen mjete të caktuara (shuma të vogla) pa një strategji”, tha Mustafa. Tutje, Mustafa thotë se Fondi do të duhej të ketë qëllime të precizuara e që përkthehen në plane operative. “Duke qenë se autoritetet shtetërore të Republikës së Serbisë vazhdojnë diskriminimin mbi baza etnike ndaj shqiptarëve në Serbi, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë mbetet jetike për ruajtjen e substancës së tyre kombëtare, sidomos në Luginën e Preshevës. Duhet të adaptohen praktikat e mira nga vendet e rajonit (Hungaria, Kroacia …etj), të cilat ndajnë financim vjetor nga buxheti i tyre shtetëror për bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë”, ka thënë Mustafa. “I bindur që në masën 0.50% nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë do të mjaftonin për të pasur një qasje serioze ndaj Luginës së Preshevës. Qoftë në kuptimin e mbështetjes institucionale, qoftë në kuptimin e krijimit të mundësive për zhvillim, apo edhe ruajtjes së veçorive dhe substancës kombëtare”, ka shtuar më tej ai. Derisa në një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për Koha.net, shmanget çështja e këtij fondi për Luginën, aty theksohet vetëm mbështetja në projektet që ka zbatuar deri tani. Zëdhënësja në Qeverinë e Kosovës, Donjeta Gashi, foli për Koha.net vetëm për projektet që Ekzekutivi i ka financuar. “Deri tani janë mbështetur dy projekte në Luginë. Janë financuar shkolla në Bujanoc me një vlerë prej 50 mijë eurosh dhe Parku i Paqes në Preshevë në vlerë prej 112 mijë eurosh. Janë edhe tri projekte të tjera, të cilat janë prezantuar dhe për të cilat po shqyrtohet mundësia e akomodimit në strukturën buxhetore të vendit. Bëhet fjalë për projektet si: Rinovimi i Teatrit, Shkolla Digjitale dhe një fushë e sportit. Kurdo që kemi ndonjë lëvizje në këtë drejtim, sigurisht që do t’ju informojmë”, ka thënë ajo. Ndërkaq Koha.net nuk ka arritur të marrë një qëndrim prej zyrtarëve nga Qeveria e Shqipërisë në lidhje me Fondin për Luginën, premtim që u bë edhe nga ana e tyre. Like 0
Gjykata e BE-së gjen që Komisioni Evropian s’ka qenë mjaftueshëm transparent për kontratat e vaksinave anti-Covid
Lutfiu:Universiteti i Tiranës ka përjashtuar nga tarifa e shkollimit studentët e Luginës së Preshevës
‘Ngritja e pabesueshme e Milot Rashicës në Gjermani’ Robert Lewandowski padyshim mbetet sulmuesi më i mirë në elitën e futbollit gjerman, përkatësisht …