Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Google+ Shpërndaj në Reddit Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Shpërndaj në Tumblr “Dardanët” sonte do ta kenë detyrën e vështirë për ta vazhduar ecurinë mbresëlënëse prej ndeshjeve të zhvilluara pa disfatë – 15, rekordi më i mirë në Evropë – përballë njërës ndër fuqive më të mëdha në botën e futbollit, Anglisë. Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen e sotshme kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”, raporton Gazeta Express. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup. Edhe pse hyri në këtë grup nga vazoja e ekipeve më të dobëta, Kosova e ka dëshmuar se ka gjasa reale ta sigurojë kualifikimin, duke e mposhtur së fundi kundërshtaren e drejtpërdrejtë për vendin e dytë, Çekinë. Pas ecurisë së mirë që “Dardanët” e kanë arritur me trajnerin Bernard Challandes, trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, e ka konsideruar Kosovën si testin më të vështirë për “Tre Luanët”. “Pa asnjë dyshim është testi më i vështirë. Taktika, shpirti dhe pasioni që ka treguar ky vend relativisht i ri është e mrekullueshme. Kosova me ka impresionuar. Ata do të jenë agresiv në sulm dhe kanë shpejtësi të madhe”, u shpreh dje në konferencën për shtyp trajneri i “Tre Luanëve”. Ndërkohë, përderisa Challandes është i vetëdijshëm për nivelin e Kombëtares së Anglisë – e cila radhitet e katërta në ranglistën e FIFA, përderisa Kosova është e 120-ta – ai thotë se nuk i frikësohet skuadrës angleze. “Frikë nuk është fjala e duhur ta përdorim, por duhet të jemi realist, rezultatet e tyre të fundit janë 5-0, 1-5, 4-0. Ne jemi Kosova, ekipi më i vogël në grup, patjetër se duhet të kemi respekt”, u shpreh Challandes. “Asnjëherë s’kemi menduar se pas katër ndeshjeve në këtë grup, do të luajmë kundër Anglisë për të diskutuar vendin e parë”. “Është e qartë se do të jetë ndeshje e vështirë, por është mundësi e mirë për ekipin tonë për të parë cila është elita e futbollit evropian”. Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli. Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit. Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi. Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. Like 0