Kryetari i komunës së Kamenicës është sulmuar nga qytetarët gjatë një diskutimi publik që ka organizuar komuna në fshatin Hodonovc.

Ky sulm erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së qytetarëve të Kamenicës për reformat që ka bërë kryetari Kastrati në arsim.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas sulmit që iu bë sot nga qytetarët e Kamenicës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kastrati ka thënë se i vjen keq që fëmijët janë duke u përdorur sipas tij për akte të tilla.

“Më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurme dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë . Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Postimi i plotë i tij:

I vetëdijshëm që qytetarët nuk janë ende mjaftueshëm të informuar, reagimet/protestat janë shumë të kuptueshme.

Sot ishim ne Karaqevë të Poshtme dhe në Hodonoc për të vazhduar me diskutimet për Reformë.

Në Karaqevë të Poshtmë debati ishte i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit. Argumentet e secilit janë shumë të vlefshme për ne.

Fatkeqësisht në Hodonoc një grup i vogël i njërzve na pengoi që të diskutojmë më prindërit e nxënësve dhe banorët e fshatit. Po e them fatkeqësisht sepse shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar për diskutime dhe debat të hapur. Gjithashtu, më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurme dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë . Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre.

Megjithë kundërshtimet pa shpjegim të atyre pak njerëzve për të mos filluar fare takimin, me insistimin tim dhe banorëve të tjerë u futëm në shkollë për të diskutuar me ta. Të shtyer nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për tu dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërprejmë diskutimin.

Protesta dhe format e tjera te mosbindjes janë normale për ne. Por, kur ato përdoren për ta ndaluar perspektivën zhvillimore të fëmijëve, kur nuk kanë mesazh, por vec zhurmë, kundërshtimi i ngjan frikës konservatore nga përparimi. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qytetarëve, për t’i dëgjuar të gjitha diskutimet, edhe nëse jemi të “rrezikuar” nga aksionet simbolike.

Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banor për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i binduar se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme