Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, konsideron se Kosova e ka humbur mundësinë që ta arrijë një marrëveshje finale me Serbinë, duke e refuzuar idenë e ripërcaktimit të kufijve, raporton Ekonomia Online.

Ai thotë se presioni i bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është si pasojë e refuzimit të idesë për ripërcaktimin e kufijve.

Murati thotë se tensionet që ndodhën në veri të vendit, e kanë larguar vëmendjen që në dialog të ketë marrëveshje finale. Për këtë, ai i fajëson të dyja palët. Rreziku që i kanoset Kosovës, thotë Murati është që dialogu të kthehet në teknik, teksa thotë se shpeshherë çështjet e brendshme të Kosovës janë diskutuar në Bruksel. Sipas Muratit, problemet në veri të Kosovës mund të zgjidhen vetëm me metoda politike.

“Ne nuk e quajmë shkëmbim, por ripërcaktim të kufijve, duke u bazuar në vullnetin e popullit dhe mendoj që është ideja e vetme që e zgjidh problemin, është ideja më e drejtë për të dy popujt, e cila e hap rrugën e paqes, stabilitetit dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. E trajton drejtë problemin e shqiptarëve në Luginë e të cilët kanë qenë pjesë e të gjitha proceseve të pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, pra bëhemi pak më të drejtë si Kosovë, por është edhe në interes të Kosovës. Këtë është dashur ta bëjmë që nga fillimi, është bërë në një moment të caktuar, është hap tema e korrigjimit të kufijve në vitin 2018, e cila fatkeqësisht u refuzua nga opinioni”, u shpreh Murati, duke thënë se pro këtij shkëmbimi ka pasur shtete që e kanë përkrahur, duke përjashtuar Gjermaninë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme