Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar z.Ragmi Mustafi ka bër me dije se sot për herë të katërt me radhë ka pranuar ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2021.

Njoftimi i plotë nga z.Mustafi

PADITË POLITIKE, NË EMËR TË SHTETIT LIGJOR!

Sot, për herë të katërt me radhë pranova ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2021.

Padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës është e motivuar politikisht. Ajo bazohet nën pretendimin e shkeljes së nenit 41 të Ligjit për shfaqjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, që parasheh denim nga 50.000 deri në 500.000 dinarë.

E drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe gërmat e Kushtetutës së Serbisë. Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta pëputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me i përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky.

Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Kot e keni. Ju edhe mund edhe të më dënoni, por nuk mund të më të zbrapseni nga beteja për drejtësi!

Ky ligj është flamur i shtypjes! Ky flamur është ligj I barazisë!

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme