Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha se janë duke punuar për njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës, duke shtuar se nuk do ta neglizhojnë këtë çështje.
Nagavci, tha se janë duke i trajtuar me prioritet njohjen e diplomave për të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet jashtë vendit.
“Po njohja e diplomave është një proces i cili menaxhohet nga Ministria e Arsimit dhe kjo është jo vetëm për studentët e Luginës por këtu tek ne edhe për studentët e tjerë që i kanë kryer studimet në vendet e ndryshme të Botës apo edhe ata që në të kaluarën kanë pasur disa vështirësi. Janë probleme te kamotshme të cilat ne jemi duke i trajtuar me prioritet, besoj do angazhohemi fort që të gjejmë një zgjidhje ashtu që për të gjitha ato çështje dhe studentët mos të pësojnë që pa fajin e tyre kanë ardhur në një situatë ku për shkak të neglizhencës, pakujdesisë apo edhe dështimit të qëllimshëm të personave që kanë pasur përgjegjësi, t’i vuajnë pasojat tashmë studentët”, tha ajo.