Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në një konferencë për media një propozim pesëpikësh për shtensionim në veri të Kosovës.

Këtë propozim ka thënë se ua ka dhënë ndërkombëtarëve, duke nisur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe ambasadorëve të QUINT-it. Ka thënë se s’ka marrë përgjigje për këtë propozim.

Letra e plotë:

I nderuari përfaqësues i Lartë, z.Borrell

Si vazhdim i takimit tonë dypalësh në Bratislavë më 30 maj, si dhe duke reflektuar mbi bisedën tonë telefonike të sotme, do të doja t’ju propozoja juve një plan për rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe shtensionimin në veriun e Republikës së Kosovës, si vijon:

  1. Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në 4 komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin.
  2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet secili veprim kriminal ndaj institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës, të zvogëlohet, bazuar në rrethanat.
  3. Policia e Kosovës dhe KFOR-i/EULEX-i do t’i kryejnë vlerësimet e përbashkëta të sigurisë, çdo 15 ditë, në mënyrë që të garantojnë një mjedis të sigurt në sundimin e ligjit.
  4. Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar.
  5. Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e të dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave. Shpresoj se do të jeni në gjendje t’i përgjigjeni me optimizëm kësaj oferte sa më shpejt që të mundeni.
Image
Image
Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme