Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë ka paralajmëruar protestë për rrëzimin e Qeverisë.

Kjo protestë e thirrur me moton “Kundër PANhajnisë”, ende nuk dihet se kur do të mbahet, kjo për shkak se sipas LVV-së, janë duke u mbajtur tubimet në komuna të Kosovës në mënyrë që të mobilizohen qytetarët.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Albulenë Haxhiu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Qeveria po vazhdon me skandale.
“Ne jemi në secilën komunë në takime kundër “PANhajnisë”. Ne kemi nisur fushatën, angazhimin tonë, mobilizimin tonë kundër kësaj Qeverie të hajnisë e cila po prodhon skandale në vazhdimësi. Kemi shpjeguar shumë argumente se përse sot duhet së bashku edhe Opozita edhe qytetarët të angazhohen, sepse kjo qeveri nuk do të ndalet vet. Përkundrazi po vazhdon skandalet, dhe ne e kemi obligim të mos qëndrojmë të heshtur karshi kësaj”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka treguar nëse protestës do t’i bashkëngjitet edhe partia tjera opozitare, LDK.

“Ne si subjekte opozitare, po flas për LVV-në dhe LDK-në, sepse ata të cilët kanë ikur nga VV-ja tashmë janë rreshtuar komplet në anën e Qeverisë, pra me të dyja këmbët janë në Qeveri, dhe nuk mund të llogarisim në ta. Megjithatë të dyja si subjekte opozitare ne dhe LDK, i kemi strategjitë tona që mund të dallojnë nga njëra tjetra, por unë nuk besoj që ata përjashtojnë organizime qytetare, janë të domosdoshme. Ne e kemi një mjet demokratik në dorë si Opozitë dhe duhet ta shfrytëzojmë”, është shprehur ajo.

Sipas saj nuk përjashtohet që në vazhdim të bashkohen edhe LDK-ja.

“Nëse ata zgjedhin të mos bashkohen, atëherë ne nuk mund të ndalemi, sepse situata në vend është jashtëzakonisht e rëndë. Nevojitet mobilizim i madh, opozitar e qytetar, madje këtu duhet të na bashkohen edhe analistët dhe shoqëria civile, intelektual, profesorë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se protestat do të jenë të vazhdueshme deri në rrëzim të Qeverisë.

“Nuk ka data kur do të mbahet protesta. Pra, nuk përjashtohet a do të jetë tani, apo edhe më vonë. Por, jemi duke vazhduar me mobilizim. Do të jenë protesta të vazhdueshme deri në rrëzim të Qeverisë”, është shprehur ajo.

Deputeti nga radhët e Nismës, Milaim Zeka, i pyetur për këtë protestë ka thënë se kjo është punë e opozitës.

“Ajo është puna e opozitës”, ka thënë Zeka për Telegrafin.

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se gjendja e përgjithshme në Kosovë është alarmuese.

Sipas tij, të rinjtë edhe pa viza, po e braktisin Kosovën.

“Çdo i aftë për punë, sytë i ka drejtuar jashtë vendit. Ndjenja e mos perspektivës i ka kapluar edhe të moshuarit. Në atmosferë të këtillë do të ishte pranim i kësaj gjendje nëse nuk aktivizohen qytetarët, së paku për të dhënë një sinjal të kundërshtimit të kësaj gjendje”, ka thënë ai.

Beqaj ka theksuar se problemet dhe vështirësitë janë më shumë të qytetarëve,se sa të anëtarëve të partive.

“Në Kosovën e pas luftës më së shumti kanë pësuar qytetarët që nuk kanë qenë në parti, dhe ata, partitë e të cilëve nuk kanë qenë në pushtet. Është paradoksale t’i besohet sinqeritetit të atyre që me dekada kanë krijuar këtë gjendje, dhe tani gjoja se duan për t’i dal në ndihmë qytetarëve, të lodhur nga ta. Por, në mesin e tyre, ka të rinj që e kuptojnë nevojën për kthesa në funksion të qytetarëve, prandaj është mirë t’i bashkohen protestave”, është shprehur ai.

Ndër të tjera Beqaj ka thënë se këto protesta do të duhej të përçonin mesazh tek politikanët se ata do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve.

“Rezultati i protestave është ngritja e vetëdijes politike, aktivizimi qytetarë. Nevoja për të përçuar mesazhin politikanëve, se ata do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, e jo të shërbehen me ta, siç kanë bërë dhe po bëjnë”, shtoi ai.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme