Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga autoritetet amerikane që të tërhiqet taksa prej 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për Gazetën Insajderi se qeveria nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë kërkesë të tillë.

“Qeveria nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të tillë zyrtarisht”, ka thënë shkurt Gashi.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti i Shtetit Amerikan kanë dërguar një dokument në formë të shkruar prej tetë pika autoriteteve shtetërore kosovare lidhur me taksën prej 100 përqind.

 

Në mesin e këtyre pika thuhet se masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë janë tetë pikat të cilat thuhet se autoritetet amerikane i kanë vendosur Kosovës.

Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:

  1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
  2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.
  3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.
  4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.
  5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.
  6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.
  7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.
  8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.

 

 

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme