Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, po merret në pyetje për të dytën ditë me radhë në Prokurorinë Speciale për Krime Lufte në Kosovë.

Mustafa hyri në selinë e kësaj prokurorie në Hagë, i shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci, pak para orës 10 të mëngjesit, por asnjëri prej tyre nuk folën për mediat.

 

Prokuroria Speciale nuk ka dalë ende me asnjë informacion për ish-pjesëtarët UÇK-së që janë ftuar për t’u marrë në pyetje.

Po ashtu nuk dihet ende se në çfarë cilësie po intervistohet Mustafa, ndonëse vetë ka pohuar më herët se ai është “dëshmitar i dyshuar”, raporton Rel.

Të mërkurën, në Hagë pritet të intervistohet edhe Sami Lushtaku, një tjetër ish-komandant i UÇK-së, ndërsa të ftuar për intervistim janë edhe të tjerë.

Edhe Mustafa, edhe Lushtaku kanë qenë komandantë të rëndësishëm të zonave operative në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur, ndërsa pas luftës kanë mbetur aktivë në skenën politike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme