Vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, ish-përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schwarz-Schilling, po e quan si tronditje për Bashkimin Evropian, i cili tashmë është përqendruar në problemet e veta.

Megjithatë, Schilling thotë se ky veprim i SHBA-së duhet të motivojë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të gjetur një zgjidhje për problemet që kanë, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të jetë më energjik në zgjidhjen e problemeve dhe integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se nisma amerikane në vitet e ’90-ta e shtyu rajonin në drejtimin e duhur.

“Përvoja na ka treguar se vetëm zgjidhjet e dakorduara SHBA-Evropë janë të suksesshme dhe të qëndrueshme”, ka thënë Schilling për DW, transmeton Gazeta Express.

Ish-përfaqësuesit të Lartë për Bosnje e Hercegovinë në Evropë ka edhe të atillë që nuk iu pëlqen iniciativa amerikane.

Megjithatë, ai thotë se Washingtoni nuk dëshiron të lërë rajonin e Ballkanit Perëndimor të bjerë nën ndikimin e Rusisë dhe sipas Schilling, Trump dëshiron të shënojë një fitore tjetër para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Teksa flet për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve në baza etnike, Schilling thotë se një rrezik të tillë e kishte paralajmëruar edhe më herët, megjithatë, sipas tij, Palmer ka sjellë mesazhin në Ballkan se SHBA-ja nuk dëshiron të ketë shtete një etnike.

“Unë e kam paralajmëruar shumë kohë më parë rrezikun e rivlerësimit të kufijve bazuar në kritere etnike. Por Palmer e ka sjellë mesazhin se SHBA-ja nuk dëshiron të shoh shtetet monoetnike në Ballkan”, ka shtuar tutje diplomati gjerman.

Schwarz-Schilling njësoj sikurse deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të emërojë një të dërguar special për dialogun Prishtinë-Beograd dhe për Ballkanin Perëndimor.

Diplomati gjerman në fund thotë se mbase është koha që serbët në Kosovë të flasin me zërin e vet dhe të mos e presin direktiva nga Beogradi, që flet gjithmonë në emër të serbëve.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme