Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës që ka vepruar në Grupin Parlamentar të LDK-së, Korab Sejdiu, ka thënë se është i nevojshëm një koalicion LDK-Vetëvendosje.

Sejdiu, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se deklaratat e sotme të Presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit janë inskenime për të “vërtetuar” se Veseli është kryetar i vërtet i PDK-së.

Deputeti opozitar thotë se Kosova e ka të nevojshme formimin e një blloku LDK-Vetëvendosje, pasi sipas tij këto janë dy partitë kryesore që do të formonin një shumicë shqiptare në Kuvend.

Ai ka thënë se një koalicion LDK-AAK do të ishte problematik për shkak siç thotë ai të një numri të problemeve që AAK i ka krijuar nuk mund t’i zgjidhë.

“Si mund të merresh me problemin e veteranëve të rrejshëm nëse i ke në qeveri ata që i kanë krijuar veteranët e rrejshëm, ose së paku një pjesë të tyre. Kështu që është shumë problematike të kesh dikë nga PAN-i në qeveri e të ballafaqohesh me problemet serioze që i kanë krijuar ata”, tha ai, përcjell Telegrafi.

 

Sejdiu ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje nëse duan të mirën e qytetarëve e jo interesin partiak duhet t’i kalojnë dallimet që kanë në mënyrë që të dalin bashkë në zgjedhje.

Deputeti i pavarur, thotë se e ardhmja politike e tij është e lidhur edhe me zgjedhjet në LDK dhe koalicionet e mundshme në të ardhmen.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme