Prof. Dr.Lisen Bashkurti

Debati i nisur për ndarjen e veriut të Kosovës si pjesë e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi tanimë vetëm sa ka shpërthyer në sipërfaqe. E themi këtë, sepse në të vërtetë, përpjekja për ndarjen e Veriut nga Kosova ka nisur fillimisht de facto, qysh në përfundim të luftës në pranverë të 1999. Tani kjo tentativë e gjatë de facto po synohet të bëhet edhe de jure.

Iniciuesit e kësaj tentative vijnë pa pikë dyshimi nga Beogradi dhe Moska. Është kryekëput në interesin e tyre shkëputja e veriut nga trungu i integritetit territorial të Kosovës. Por, për arsye që dihen promovimi i kësaj ideje cunguese për Kosovën, nuk mund të lansohej publikisht as nga Beogradi dhe as nga Moska për shkak të reaksionit të madh që do shkaktonin tek shqiptarët në Kosovë dhe në mbarë Rajonin si dhe te kundërshtarët e interesave Serbo-Ruse në Ballkan.

Pikërisht për mënjanimin e këtij reaksioni anti serbo-rus shqiptar dhe ndërkombëtar u gjetën dhe u nxitën promovues nga brenda hapësirave shqiptare: brenda Kosovës, zëdhënës i idesë për ndarjen e veriut të Kosovës u bë pikërisht presidenti Thaçi. Jashtë Kosovës si hiena mbështetës së tij u bënë disa zëra në politikën dhe diplomacinë e Tiranës. Midis Prishtinës dhe Beogradit ka edhe ndonjë zëdhënës mediatik ogurzi.

Derisa Thaçi doli protagonist publik i vetmuar, i paqartë e kontradiktor dhe i kundërshtuar masivisht nga qytetarët, politika dhe institucionet e Kosovës, sikundër edhe nga fuqi Perëndimore botërore, në Tiranë mbështetësit e Thaçit nuk kanë dalë qartazi publikisht, por as nuk e kanë kundërshtuar atë asnjëherë. Kjo qasje hienash nga Tirana ka ngjallë dyshime të mëdha në Kosovë, në Shqipëri, ndër shqiptarët dhe në mjaft fuqi Perëndimore.

Mësimi i ‘Shën Stefanit’ ose Shqipëria e falimentuar

Pas luftës ruso-turke 1877-78, në mars të vitit 1878 u firmos Traktati i Shën Stefanit dypalësh, i imponuar njëanshmërisht nga Rusia. Ky traktat synonte dhënien fund të kontrollit të Perandorisë Osmane mbi territoret e Ballkanit. Traktati njohu principatën e pavarur të Bullgarisë, njohjen e pavarësisë së Serbisë, Malit të Zi dhe Rumanisë. Bosnje-Hercegovina u shpall autonome. Shqipëria dhe shqiptarët nuk u konsideruan.

Traktati u kundërshtua nga Austro-Hungaria, e cila nuk e dëshironte nxitjen e nacionalizmave sllavo-jugor dhe nga Britania e Madhe, e cila shikonte te shteti i madh Bullgar rrezikun e një sateliti Rus që mund të kërcënonte Stambollin dhe vetë ndikimin Britanik në Mesdheun Lindor. Qëndrimeve Austro-Hungareze dhe Britanike iu bashkua diplomatikisht edhe Gjermania e Bismarkut në Kongresin e Berlinit, 1878, duke bërë kështu modifikimin e termave të Traktatit të Shën Stefanit fund të qershorit 1878.

Shqipëria dhe shqiptarët ndonëse nuk u konsideruan si subjekt i pavarur dhe as autonom nga Traktati i Shën Stefanit, sërish për shkak të pretendimeve skajore mbi territoret shqiptare të fqinjëve Grek, Serb, Malazez e Bullgar si dhe të kundërshtive të disa Fuqive të Mëdha, kryesisht Austro-Hungaria e më pas edhe Italia dhe Gjermania, diplomacia Ruse parashikoi një hapësirë buffer-zonë për shqiptarët në Shqipërinë e Mesme.

Dizajnimi i hartës së Shën Stefanit për shqiptarët u ekspozua diplomatikisht mbas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Londrës në 1913. Ishte një hartë sa një kuti shahu territor. Qëllimi Rus ishte që nëse një shtet i pavarur shqiptar do themelohej për shkaqe gjeopolitike, hapësira e tij territoriale do të duhej të ishte aq e kufizuar saqë të krijonte faktikisht një shtet tejet të dobët ekonomikisht. Një shtet i tillë në ballafaqimin e parë me fqinjët Grek apo Sllav të Jugut do të falimentonte.

Hartën e Shën Stefanit për Shqipërinë e pavarur e kundërshtuan fuqishëm dhe me argument Austro-Hungaria dhe Italia, të mbështetura në prapavijat diplomatike edhe nga Gjermania, relativisht edhe Britania. Franca asokohe luajti rol kryesisht negativ ndaj Shqipërisë dhe shqiptarët. Në fokus të debatit për territoret e Shqipërisë së pavarur u bë Shkodra.
Shkodra dhe rrethinat e saj në fillim të 1913 u pushtuan nga Mali i Zi, i cili shpresonte që, bazuar në Shën Stefan i kishte ardhur koha të aneksonte Shkodrën. Mirëpo, zhvillimet diplomatike në Londër e kundërshtuan aneksimin e Shkodrës dhe vendosën që Shkodra me rrethinat e saj të mbeteshin brenda territorit politik të Shqipërisë së pavarur.

Argumenti më i fortë për përfshirjen e Shkodrës dhe rrethinave të saj brenda kufijve politik të shtetit shqiptar ishte viabiliteti i shtetit të ardhshëm shqiptar. Viabilitet do thotë aftësia e brendshme e shtetit për të gjeneruar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm për mbijetesë dhe zhvillim, bazuar në resurset e veta.

Mbështetësit e kauzës së Shkodrës brenda kufijve politik të Shqipërisë së pavarur argumentuan se pa Shkodrën dhe rrethinat e saj Shqipëria e pavarur do humbiste rreth 25 për qind të PBB-së, sasi kjo që e bënte të pamundur mbijetesën ekonomike të brendshme të shtetit të pavarur. Argumenti u pranua ndërkombëtarisht. Shkodra dhe rrethinat e saj mbetën brenda shtetit shqiptar. Shqipëria mbijetoi.

Kosova pa veriun, Kosovë e falimentuar

Qysh në ditët e fundit të luftës së vitit 1999 nisi de facto procesi i margjinalizimit të veriut të Kosovës, ose më saktë filloi procesi i mosbindjes së Veriut të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut dhe tre komunat Serbe, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ndaj pjesës tjetër të Kosovës, asokohe administruar nga UNMIK.

Mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, Veriu i Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe tre komunat Serbe vijuan të injorojnë bindjen ndaj institucioneve sovrane e legjitime të Shtetit të Pavarur të Kosovës. Liderët Serbë në Veri të Kosovës forcuan lidhjet direkte me Beogradin. Autoritetet e Kosovës nuk tentuan seriozisht asnjëherë që të shtrinin kontrollin e shtetit mbi gjithë territorin, ndonëse ishte e drejtë legjitime e patjetërsueshme e tyre që ta bënin këtë.

Kohë më pas pati zëra Serb me në krye Oliver Ivanoviqin, asokohe lider i Listës Serbe në Kosovë, që apeluan mbi Beogradin për një qëndrim më të moderuar lidhur me Veriun e Kosovës dhe për një integrim gradual të tij në institucionet e Kosovës. Oliver Ivanoviq, UNMIK-ku krahas autoriteteve të Kosovës folën hapur atëherë kundër mundësisë së ndarjes së Kosovës.

Por debatet e kohëve të fundit lidhur me mundësinë e ndarjes së Veriut të Kosovës duket se po përpiqen të ringjallin gjithë këtë histori. Oliver Ivanoviq u eliminua në prag të shpërthimit publik të këtij debati. Duket se Ivanoviq shikohej si pengesë e fortë nga pala serbe kundër ndarjes së veriut të Kosovës. Shkaqet e shkaktarët ende janë enigmë. UNMIK-u është në tërheqje, si në kompetencat e tij formale ashtu edhe praktikën e përditshme. Autoritetet e Kosovës janë me dy qasje: Presidenti Thaçi është promovuesi e madje edhe imponuesi i versionit të ndarjes së Veriut të Kosovës; ndërsa Qeveria Haradinaj, Parlamenti, partitë politike opozitare dhe opinioni publik e mediatik janë haptazi dhe agresivisht kundër Presidentit Thaçi.

Presidenti i vetmuar Thaçi, duke u ndjerë përherë dhe më i izoluar në idenë e tij e për rrjedhojë edhe më i dështuar po përpiqet të bëjë lojëra fjalësh si ‘përcaktim’, ‘delimitim’ ‘demarkim’,’korrigjim’, ‘shkëmbim territoresh’, ‘korrigjim të lehtë’, ‘përfshirje të Luginës së Preshevës në kufijtë e Kosovës’ e të tjera definicione që përkthehen të gjitha me fjalët: NDARJE E VERIUT TË KOSOVËS.

Në këtë debat nga palët përdoren argumente që lidhen me historinë, kulturën, territorin, popullsinë, politikën, me institucionet, ndikimet gjeopolitike, Fuqitë e Mëdha, me pasuritë e Veriut të Kosovës etj. Por më duket se theksi kryesor duhet vënë mbi një pikë esenciale: VIABILITETI I SHTETIT TË KOSOVËS PA VERIUN E SAJ.

Ashtu sikundër Shkodra për Shqipërinë e pavarur ishte ekzistenciale për aftësinë ekonomike për të gjeneruar mbijetesë dhe zhvillim të brendshëm të saj, po ashtu pikërisht edhe Veriu për Kosovën e pavarur është ekzistencial për aftësinë ekonomike për të gjeneruar mbijetesë dhe zhvillim të brendshëm të saj.

Për koincidencë Shkodra përbënte potencialisht rreth 25 të PBB të mbarë Shqipërisë, edhe Veriu i Kosovës përbën potencialisht, ndoshta akoma më shumë se 25 për qind të PBB të Kosovës. Por ndryshe nga struktura ekonomike dhe burimore e Shqipërisë, e cila është më e diversifikuar dhe më e shpërndarë, struktura ekonomike dhe burimore e Kosovës është më pak e diversifikuar dhe e lokalizuar kryesisht në Veri.

Në Shqipëri burimet e naftës e gazit, të kromit e bakrit, të qymyreve e ujërave, të detit dhe Alpeve përbëjnë burimet shumë diverse ekonomike dhe janë të shtrira në mbarë territorin e vendit. Në Kosovë burimet minerare dhe ujërat janë kryesisht në Veri të Kosovës, ndërkohë që pjesa tjetër ka kryesisht qymyre të varfra dhe bujqësi e blegtori. Pra, pa Veriun Kosova rrezikon seriozisht të shndërrohet në një fermë bujqësore e blegtorale, pra pa aftësi për të gjeneruar mundësi ekonomike mbijetese dhe zhvillimi të brendshëm.

Një shtet pa viabilitet, pra pa aftësi për të gjeneruar aftësi ekonomike të brendshme për mbijetesë dhe zhvillim të pavarur, do të thotë një shtet pa perspektivë ekonomike, një hapësirë e varfër e më së shumti një i shtet i falimentuar ekonomikisht. Një shtet i falimentuar ekonomikisht në ballafaqimin me krizën më të parë fqinjësore, Rajonale apo ndërkombëtare do të kapitullonte pa kushte. Ja përse viabiliteti është një ndër kushtet e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit. Ja përse edhe Kosova pa Veriun e saj humbet edhe ekzistencën si shtet i pavarur dhe Sovran. Viabiliteti është gur themeli për ekzistencën dhe funksionimin e Shtetit të Kosovës.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme