Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se nëse marrëveshja me Serbinë nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës do të japë dorëheqje, për ta dërguar marrëveshjen në referendum.

“Edhe kritikët të mos mendojnë që do të shkel Kushtetutën. Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po. Mund të arrijmë marrëveshjen, pastaj i propozohet Kuvendit të Kosovës, i cili e aprovon ose jo. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqje, ose shpall referendum”, tha presidenti Thaçi në një intervistë në Report TV.

“E di që në referendum fitoj 80%, sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkëngjitjen me Kosovën dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës”, tha ai.

Presidenti Thaci garantoi se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të prekë asnjë centimetër të Kosovës.

“Nuk do të ketë kufij me baza etnike. Kosova do të jetë multietnike, Serbia do të jetë multietnike. Nuk do të ketë cenim të pasurive shtetërore të Kosovës. Trepça ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pronë e Kosovës. Edhe bashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ndodhë. Edhe Ujmani ka qenë dhe do të mbetet pronë e Kosovës. Unë e kam vizituar dhe njerëzit mendojnë se kam shkuar për të shëtitur. Jo. Ka qenë mesazh i qartë që ai që e prek Ujmanin, prek kombin shqiptar. Dhe nuk ndahet mirë”, tha ai.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme