Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Google+ Shpërndaj në Reddit Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Shpërndaj në Tumblr Anglia e ka mundur Kosovën 5:3 në një ndeshje triller kualifikuese për Euro 2020, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje kombëtares verdhekaltër. Para se ta vizitonte Southamptonin të martën në mbrëmje, Kosova kishte shënuar 10 fitore dhe kishte barazuar pesë herë të tjera në 15 ndeshjet e fundit, raporton Gazeta Express. Humbjen e fundit e kishte pësuar në tetor të vitit 2017, në një ndeshje kualifikuese kundër Islandës (2:0) për Kupën e Botës 2018. Por, Raheem Sterling me një paraqitje brilante, duke shënuar një gol dhe krijuar tri gola të tjera, i ndihmoi “Tre luanëve” të fitojnë dhe ta ruajnë rekordin pa humbje që prej vitit 2009 në ndeshje kualifikuese për Euro apo Botëror. Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi. Takimi nisi furishëm dhe Kosova kaloi në epërsi falë një gabimi të mbrojtësit anglez Keane. Vedat Muriqi e vodhi topi dhe asistoi te Valon Berisha që shënoi pas 50 sekondave lojë. Përgjigja e Anglisë ishte e shpejtë me Raheem Sterling që shënoi me kokë në minutën e 7-të. Anësori i Manchester City pastaj asistoi për Harry Kane, i cili e mposhti Mërgim Vojvodën dhe portierin Arijanet Muric, duke i dhënë epërsinë anglezëve për herë të parë në takim në minutën e 19-të. Gjërat u vështirësuan për vizitorët, pasi brenda shtatë minutave morën tre gola. Vojvoda shënoi në portën e vet, para se Jordan Sancho të shënonte dy herë në minutat 44’ dhe 45’. Kombëtarja dardane u rikthye furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë. Valon Berisha me golin e dytë personal e mposhti Jordan Pickfordin në minutën e 49-të, para se Vedat Muriqi të shënonte nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë gjashtë minuta më vonë. Vendasit kanë mundur ta thellonin epërsinë sikur Harry Kane të shënonte nga penalltia në minutën e 65-të. Por, Muric e lexoi dhe e mbrojti gjuajtjen e sulmuesit anglez. Muric pati një paraqitje fantastike në pjesën e dytë duke bërë disa pritje të mëdha. Like 0