Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi transformimin e FSK në Ushtri të Republikës së Kosovës.

Emocion i veçantë për çdo Shqiptarë kur përjeton momente të këtilla historike, siç është dita e sotme, kur kurorëzohet një synim i kahmotshëm i shumë gjeneratave të Shqiptarëve të Republikës së Kosovës.

Dihet se në çdo periudhë, e edhe në në periudhën e shtetformimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës, kontribut të pamohueshëm kanë edhe shumë figura e personalitete qoftë politike qoftë ushtarake të Luginës së Preshevës. Kjo edhe është një ndër shumë arsyet që Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ditën e sotme e llogaritin edhe gëzim të vetin.

Por, edhe duke pasur parasysh që gjindemi në një periudhë shumë të ndieshme të zhvillimeve politike në rajon, e në veçanti kur gjindemi në një fazë shumë shpresëdhënëse për Shqiptarët e Luginës së Preshevës nga bisedimet Kosovë – Serbi, pa dyshim çdo sukses i Republikës së Kosovës përjetohet me emocion të veçantë nga Shqiptarët e kësaj treve, e çdo forcim i shtetit të Kosovës për ne është edhe rritje e shpresës për një të ardhme më të mirë dhe një të ardhme të përbashkët të Luginës me Republikën e Kosovës.

Shfrytëzoj rastin që nga zemra të uroj të gjithë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të gjithë liderët politik si dhe të gjithë qyetarët e Republikës së Kosovës për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Në veçanti sot, e kemi obligim moral e kombëtar t’i kujtojmë të gjithë ata që në periudha të ndryshme kontribuan secili në mënyrën e tij, që gjeneratat e sotme t’a gëzojnë dhe përjetojnë këtë ngjarje historike.

BASHKË NË SFIDAT E ARDHSHME!

Ardita Sinani, kryetare e degës së PVD

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme