Raportet mes serbëve dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ideja e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë kanë marrë vëmendjen e mediumit të njohur britanik, BBC. Mediumi britanik shkruan se “ideja dramatike” e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve është një prej opsioneve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Etnia është ajo e cila ia përcakton qytetarëve të Bujanovcit se ku pinë kafe. “Shqiptarët dhe serbët nuk përdorin të njëjtat kafene”, thotë Valon Arifi, një shqiptar nga qyteti i Prshevës.

Popullsia e qytetit është shumicë serbe, por në tërësi në komunë më të shumtë janë shqiptarët, shkruan BBC.

Kjo është arsyeja pse Lugina e Preshevës ka qenë në qendër të spekulimeve: a mund të jetë pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve për t’i dhënë fund armiqësisë midis Serbisë dhe Kosovës?

“Njerëzit këtu pijnë kafe së bashku vetëm nëse bëjnë biznes”, thotë Valoni për BBC-në. “Por të pinë kafe së bashku si shokë? Kjo nuk ndodh”.

Ndarja etnike në Bujanoc simbolizohet në kafenetë e qytetit, thotë Valon Arifi.

“Mund të hasni në fjalëkalime të wireless-ëve: diçka si,”shqiptarët nuk janë të mirëpritur këtu” dhe në kafentë shqiptare, mund të jetë diçka e tillë kundër serbëve”, thotë ai.


Valon Arifi, qytetar i Komunës së Preshevës/ Foto: BBC

Që kur Serbia dhe Kosova zhvilluan një luftë të përgjakshme që përfundoi më 1999, marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuara. Serbia kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës, të deklaruar në vitin 2008.

Por Bashkimi Evropian do që Serbia të arrijë një marrëveshje me fqinjin e saj përpara se të lëvizë drejt anëtarësimit të Beogradit në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, Kosova kërkon përfaqësimin në OKB të cilën e ka të bllokuar nga aleati i Serbisë, Rusia.

Një zgjidhje dramatike – disa thonë e paimagjinueshme – për t’i dhënë fund ndarjes, mund të jetë shkëmbimi i territoreve përgjatë vijave etnike.

Kosova do të fitonte Luginën e Preshevës ndërkaq rajoni serb i veriut të Kosovës do të bëhej pjesë e Serbisë. Por asgjë nuk është vendosur, dhe askush nuk e di se ku mund të vendosen kufijtë e rinj.

Teksa bisedimet kanë ngecur në Bruksel, tensionet janë rritur – Kosova ka vendosur taksë 100 për qind për mallrat serbe.

Tani ka presion nga Uashingtoni. Presidenti Donald Trump u ka bërë një apel të drejtpërdrejtë krerëve të Serbisë dhe të Kosovës, duke u bërë thirrje që të bëjnë paqe.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme