Deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se përtej hapjes së zyrës për Luginë në Qeverinë e Kosovës, nevojitet të formohet edhe një ministri për Luginën e Preshevës.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme, deputetja Balaj-Halimaj bëri një propozim që të ketë edhe një linjë buxhetore nga Republika e Kosovës për Luginën e Preshevës.

“Nisma Socialdemokrate ka qenë prej fillimit pro debatit për Luginën e Preshevës. Nuk pajtohem me atë që u tha se një debat i tillë nuk është mirë të zhvillohet në Kuvend për shkak të populizmit. Përkundrazi ne e mbështetëm këtë debat dhe sigurisht i dhamë edhe nënshkrimet në këtë seancë. Kjo është me e pakta që mund të bëjmë për qytetarët në Luginën e Preshevës”.

“Kur është bërë regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, të cilin shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë bojkotua; nga 61 mijë shqiptarë janë regjistruat vetëm 5.800. Ky regjistrim ka bërë që Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të zvogëlohet nga 29 anëtarë në 15. Do të ishte mirë që Bashkimi Evropian të merrej seriozisht që nga viti 2011 me bojkotimin e shqiptarëve të Luginës”.

“Përtej hapjes së zyrës për Luginë në Qeverinë e Kosovës, do të duhej që të kemi edhe një ministri për Luginën e Preshevës. Kur jemi në gjendje t’i kemi disa ministri që nuk janë të nevojshme; pse mos ta kemi edhe një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës”.

“Bashkimi Evropian do të duhej të merrej edhe me Serbinë në mënyrë që edhe ata t’i respektojnë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Ajo që është tepër e rëndësishme në Luginë është që Serbia nuk i njeh diplomat tona shkollore”.

“Gjithashtu, si ka mundësi që deri më tani nuk ka ekzistuar një linjë buxhetore nga Republika e Kosovës për Luginën e Preshevës. Nëse deri më tani nuk ka ekzistuar, tani e tutje ne si Nisma do të mundohemi që ta kemi një linjë të tillë”.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme