Faqja Kryesore Botë Ekipi i OBSH-së në Vuhan fillon punën në terren

Ekipi i OBSH-së në Vuhan fillon punën në terren

3 Min e Lexuar
0
0
25

Ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të fillojë punën në terren, në Vuhan të Kinës, pasi anëtarët e tij e kanë përfunduar karantinën.

Ekipi do të hetojë origjinën e koronavirusit të ri që e shkaktoi pandeminë e COVID-19.

Pasi mbërritën në Kinë, atyre iu kërkua të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Ata pritet të kalojnë rreth një muaj në Vuhan, në vendin ku koronavirusi ri u zbulua për herë të parë, në fund të vitit 2019. Misioni hulumtues i ekspertëve të OBSH-së është shënuar me vonesa dhe shqetësime në lidhje me qasjen në informacione dhe në njerëz që kanë njohuri për fillimin e përhapjes së virusit.

Pekini deri më tani ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur origjinën e virusit, i cili ka vrarë më shumë se 2.1 milionë njerëz në të gjithë botën.

Kina gjithashtu është kritikuar për kushtet që vendosi për vizitën e ekipit dhe teoritë e qeverisë kineze që thonë se faji për shpërthimin e koronavirusit është diku tjetër. Shkencëtarët ndërkombëtarë i kanë hedhur poshtë ato pretendime.

Familjarët e njerëzve që vdiqën në Vuhan kanë akuzuar autoritetet kineze se kanë fshirë grupin e tyre në mediat sociale duke u bërë presion atyre për të heshtur.

Shtetet e Bashkuara kërkuan një hetim ndërkombëtar “të fuqishëm dhe të qartë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se “është e domosdoshme që të hulumtojmë në ditët e para të pandemisë në Kinë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetëse të një hetimi ndërkombëtar.

Puna e ekipit të OBSH-së vjen pasi numri i të infektuarve në botë ka arritur në më shumë se 100 milionë persona. Qeveritë po përpiqen të shpërndajnë vaksinat kundër koronavirusit, por janë duke u ballafaquar me probleme në furnizim./rel

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Botë