Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Goran Stanishiq, i akuzuar për veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Stanishiq është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 20 korrik 2019 e deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, respektivisht me datën 15 e 16 prill 1999, gjatë një sulmi të gjerë e sistematik të forcave ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi e Tërbovc të Komunës së Lipjanit, i akuzuari Goran Stanishiq polic rezervë në Stacionin Policor në Lipjan – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësive ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, që kanë vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, mori pjesë në dëbimin, vrasjen e ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare.

“Me 15 prill 1999, rreth orës 13:00 – 14:00, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, në shtëpinë / oborrin e shtëpisë së familjes Gashi, i akuzuari Goran Stanishiq në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të forcave rezervë policore, forcave ushtarake, forcave paramilitare e policore serbe, fillimisht kanë shkuar në oborrin e familjes Gashi, urdhëruan anëtarët e familjes të dalin nga shtëpia duke i ndarë meshkujt nga gratë, i detyrojnë gratë e fëmijët të dalin nga oborri në rrugë, përveç Z.G. e vajzës së saj XH.H. të cilat mbesin ende në oborr, i rreshtojnë në murin e oborrit të shtëpisë tani të ndjerët M.G. – kryefamiljar, dy djemtë e tij O.G. e E.G., dy nipat e tij A.G e B.H., kishin shtënë në drejtim të tyre nga armët automatike, ku të gjithë i vrasin para prezencës së Z.G. e XH.H., e më pastaj kërkojnë – i detyrojnë këto dyja që të largohen nga oborri i shtëpisë për në rrugën e fshatit, po ashtu më 15 prill 1999, rreth orës 13:00 – 14:00, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i akuzuari G.S në bashkëkryerje me pjesëtar tjerë rezervë policor, forcave ushtarake, forcave paramilitare e policore serbe, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, ndanë nga kolona e popullatës civile shqiptare të cilën popullatë e kishin detyruar ti braktisin shtëpitë e tyre, ndanë  J.K., B.G. M.P., R.K., A.I. e E.B…..”

“Pasi i rreshtuan përballë murit të shtëpisë së një banori serbë të  fshatit, kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike duke i vrarë që të gjithë, ndërsa më 15 prill 1999, rreth orës 18:00 – 19:00, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i akuzuari në bashkëkryerje me pjesëtar rezervë policor, forcave ushtarake, forcave paramilitare e policore serbe, me automjetin ’’Lada Samara’’ me ngjyrë të kuqe, shkuan në oborrin e shtëpisë së familjes Brahimi dhe pasi dolën nga vetura kanë shtënë me armë automatike në drejtim të F.G., B.B., F.B. dhe R.B., të cilët ishin në oborr të shtëpisë së F.B., ku e kanë vrarë F.B., duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G., B.B.,dhe R.B., kishin shpëtuan, duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes, të njëjtit pasi që ishin larguar nga shtëpitë e tyre në fshatin Sllovi, për në fshatrat përreth fshatit të tyre, vijnë në shtëpitë e tyre për të marrë ushqim e gjëra të nevojshme për ekzistencë dhe për ta tërhequr babain e R.B., plak në moshë i cili kishe ngelur ende në shtëpi, hasin në të akuzuarin G.S. dhe pjesëtarë tjerë, të cilët me të parë këta, kanë dalë nga vetura ’’Lada Samara’’, kanë shtënë me armë automatike në drejtim të tyre, ku i vrarë ka mbetur F.B.”.

Po ashtu më 16 prill 1999, rreth orës 12:00, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, derisa A1, tani e ndjera Z.G. dhe G.G., që kishin shkuar më herët në shtëpinë e tyre për të marrë ushqim, kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve e familjeve të tyre të cilët kishin braktisur fshatin, e duke u kthyer nëpër mal i akuzuari G.S. në bashkëkryerje me katër pjesëtar të uniformuar e të armatosur të forcave rezervë policore, forcave ushtarake, forcave paramilitare e policore serbe, e kanë ndaluar të dëmtuarën A1 dhe tani të ndjerën Z.G. kurse G.G. ik nga vendi i ngjarjes, i detyruan të ulen këto në tokë dhe kur e dëmtuara A1 lëviz për të nxjerrë diçka nga xhepi, nxjerr një pako me cigare që me kërkesë të të akuzuarit G.S., A1 ia jep të akuzuarit G. dhe derisa ky ua shpërndan cigaret pjesëtarëve tjerë të uniformuar, A1 e shfrytëzon rastin, fillon të vrapoj për të ikur, ndërsa i akuzuari G. e pjesëtarët tjerë të armatosur, kanë shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, gjuajnë në të njëjtën në ku ajo rrëzohet, rrokulliset deri tek një përrua, ku qëndroi deri në mbrëmje dhe në mbrëmje e gjejnë disa fshatarë të saj.

Sipas gjykatës, me këto veprime Goran Stanishiq ka kryer veprën penale krime lufte ndaj popullatës civile në bashkëkryerje nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme