Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se pas fjalimit të tij në Kuvend, kishte tendencë nga Qeveria e Ana Brnabiqit për shmangien e temave që ai i ka përmendur.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk mund të ketë bashkëpunim mes grupit parlamentar dhe një opozite që nga jashtë parlamentit, organizon tubime me thirrjet “Vuçiq shqiptar”.

“Unë e thashë qartë se nuk mund të ketë bashkëpunim mes nesh si grup parlamentar dhe një opozite që është jashtë parlamentit, e cila organizon tubimet e qytetarëve para parlamentit, dhe bërtasin ‘Vuçiq shqiptar’. Nuk mund të ketë logjikë bashkëpunimi një opozitë e cila në atë formë, e ndjell urrejtjen ndaj shqiptarëve. Nuk mund të jetë opozita e tillë alternative e një regjimi totalitar, një opozitë e cila ka gjoja një grup demokrat dhe një grup nacionalist”, ka thënë Kamberi.

Ai tutje ka potencuar se për herë të parë, pesë partitë politike shqiptare janë bashkuar dhe kanë marrë pjesë bashkarisht në ndërtimin e një partneriteti, duke hapur dialogun për planin shtatë pikësh.

“Pika jonë kryesore ishte hapja e dialogut për planin shtatë pikësh. Megjithatë, po shihet që s’ka një vullnet dhe meqenëse është trajtuar si qeveri e kontinuitetit, e ky kontinutet nuk ndërtohet nga Qeveria Brnabiq”, ka thënë ai.

Shaip Kamberi nuk pret që Serbia të respektojë të paktën Kushtetutën e saj kur bëhet fjalë për respektim të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se shqiptarët janë të diskriminuar edhe në institucionet që veprojnë në komunat shqiptare të Luginës së Preshevës.

Deputeti Kamberi, thotë se shqiptarët janë të diskriminuar edhe në institucionet që veprojnë në komunat shqiptare të Luginës së Preshevës.

“Është dëshirë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, qëndrim politik në referendumin e vitit 98. Mirëpo jemi në terrenin politik që në mënyrë reale duhet të pritet ajo që është e mundur të realizohet e duke pa qëndrimet kryesore në Prishtinë por edhe Bashkimi Evropian që nuk pranojnë parimin e ndryshimit të kufijve, mundësia tjetër që mbetet për të shfrytëzuar dhe që besojmë se do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetës së shqiptarëve është aplikimi i parimit të reciprocitetit, sepse Serbia vazhdimisht po luan me standarde të dyfishta. Ajo kërkon maksimumin që sipas nesh është maksimum që Kosova i garanton me Kushtetutë, ligjet e veta, pakicës serbe, që është mbi standardet që BE-ja parasheh për pakicat. Por e njëjta Serbi na mohon ato të drejtat elementare dhe flet për demokraci të përparuar nëse një deputet ka të drejtë të flasë në parlament. Kjo flet për logjikën që mbizotëron në Serbi, totalitare, sipas të cilës një pjesëtar i pakicës i ka të gjitha të drejtat vetëm nëse mjafton të flasë”, ka thënë ai në Interaktiv.

Sipas Kamberit s’mund të ketë shqiptarë që pranojnë të jenë pjesë e Qeverisë në Serbi nëse një qeveri betohet duke thënë se do të angazhohet që ta kthejë Kosovën brenda Serbisë.

 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme