Shpërndaj në Facebook Shpërndaj në Twitter Shpërndaj në Google+ Shpërndaj në Reddit Shpërndaj në Pinterest Shpërndaj në Linkedin Shpërndaj në Tumblr Arben Imeri nga Kosova ka rreth 23 vjet që jeton me familjen e tij në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Ai për çdo vit viziton prindërit e tij në qytetin e lindjes, Podujevë. Arbeni tregon se për çdo muaj dërgon para për prindërit e tij në Kosovë. Ai thotë se shuma më të mëdha të parave ka dërguar pas përfundimit të luftës, për rindërtim të shtëpisë, kurse tash dërgon të holla çdo muaj. “Përafërsisht 300-400 euro në muaj i dërgoj për prindërit në Kosovë. Tashmë edhe këta (prindërit) gjendjen ekonomike e kanë më mirë, më pak i ndihmoj. Menjëherë pas përfundimit të luftës kemi dërguar më shumë”, thotë Imeri. Nuk është vetëm Arbeni, mërgimtar që dërgon para në Kosovë. Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, vlera e remitencave (para të dërguara nga diaspora), sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ka arritur në 332 milionë euro. Kurse vitin e kaluar, vlera e remitencave ka tejkaluar shumën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë dekadën e fundit. Por, shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës. Vlerën e remitencave, disa nga ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë buxhet të dytë të Republikës se Kosovës, që ekskluzivisht i takon përmirësimit të mirëqenies sociale të qytetarëve, për dallim nga buxheti i përgjithshëm i Kosovës, që në raste të caktuara, sipas tyre, keqpërdoret. Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se burim i rëndësishëm i të hyrave dhe stabilitetit social të ekonomive familjare në Kosovë vazhdojnë të jenë dërgesat e emigrantëve. “Kosova ka fat që ka dy buxhete, një buxhet është ai që kalon në Parlament dhe më shumë është djersë e qytetarëve dhe bizneseve të kosovarëve, që për fat të keq, i gjykuar për t’u keqpërdor në veçanti si pasojë e mos sundimit të rendit dhe ligjit. Dhe kemi një buxhet tjetër që pothuajse është i barabartë që vjen nga diaspora dhe është garanci e stabilitetit social në Kosovë, një rritje ekonomike në katër për qind, për shkak se dihet se i vetmi indikator është konsumi”, thotë Gërxhaliu. Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, thotë se vlera e dërgesave nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, është përkrahje financiare për qytetarët, por edhe për ekonominë e përgjithshme të vendit. “Një e treta e buxhetit të Kosovës është e bazuar nga dërgesat e drejtpërdrejta të diasporës sonë që janë mbi 700 milionë euro dhe mbi 1.3 miliard euro që llogaritet që janë shpenzime të diasporës gjatë qëndrimit të tyre gjatë verës dhe festave të fund vitit në Kosovë. Kështu që ekonomia e Kosovës pa diasporën do të ishte në gjendje jashtë zakonisht të vështirë”. “Do të thotë se diaspora ndikon drejtpërdrejtë në rritjen afatgjate ekonomike për arsye se kjo llogaritet sikur një neto eksport i Kosovës, për vetë faktin se Kosova nuk dërgon mallra dhe shërbime jashtë vendit, mirëpo ekonomia e Kosovës përfiton mjete financiare në vlerë rreth 2 miliardë euro”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë. Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700-800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Sipas të dhënave Agjencisë se Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Kurse përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas të dhënave zyrtare kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil. Like 0
Gjykata e BE-së gjen që Komisioni Evropian s’ka qenë mjaftueshëm transparent për kontratat e vaksinave anti-Covid
Lutfiu:Universiteti i Tiranës ka përjashtuar nga tarifa e shkollimit studentët e Luginës së Preshevës
Ragmi Mustafi rikandidohet për kryetarë të KKSH-ës Kryetari aktual i Këshillit Kombëtar Shqipëtar z.Ragmi Mustafi merr besimin sërish të rikanditohet për …