Qeveria e Kosovës e ka proceduar në kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, i cili i përjashton shqiptarët e Luginës së Preshevës nga ndalesa e blerjes së pronave në Kosovë.

Ligji, i punuar nga Ministria e Drejtësisë, është miratuar me shumicë të votave nga kabineti qeveritar të mërkurën.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se shqiptarët e Luginës do të përjashtohen nga kufizimet për shtetasit e huaj që të jenë titullar të të drejtave pronësore.

“Duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, qytetarët e komunitetit shqiptarë në Luginë me dispozitat aktuale në fuqi të Ligjit bazik u bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore, pra bëhet e pamundur mundësia e blerjes së pronave në Kosovë, për shkak të mungesës së reciprocitetit”, ka thënë ministrja Haxhiu.

“Mbi këtë bazë ministria e Drejtësi ka ndërmarrë iniciativë ligjore për plotësim-ndryshim të ligjit bazik e ku qytetarët e komunitetit shqiptar nga Lugina do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit dhe mund të jenë titullar të të drejtave pronësore në Kosovë sipas kushteve të përcaktuara me ligjin bazik”, ka thënë ajo.

Projektligji, para se të hyjë në fuqi, duhet të marrë shumicën e votave dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme