Deklaratat e disa analistëve ndërkombëtar (Server, Petriç) e sidomos deklarimet disa shteteve perëndimore (si Gjermania) ka trazuar konferencat e mbajtura nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq. I pari që po shtynë agjendën e bashkëngjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kuadër të “korrigjimit të kufirit” (rreth 400 km) ndërkaq i dyti për një demarkacion (razgraničenje).

Ani pse një pjesë e konsiderueshme e bashkësisë ndërkombëtare po kërkojnë një përfundim nga dialogu Brukseli që është “fleksibil e kreativ”. Në opinion janë shfaqur disa opsione jo të favorshme për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjë. Ajo çfarë mbetet e rëndësishme janë njerëzit përtej burimeve natyrore e burimeve tjera infrastrukturore, ekonomike, tregtare e çfarëdo qofshin ato. Sepse mund të jesh ndër vendet më të pasura me burime natyrore e ndër më të varfërat për kokë banori (p.sh. Kongo), ndërkaq, mundë të jesh ndër vendet më të varfëra me burime natyrore e ndër më të pasurat për kokë banori (p.sh. Japonia). Jo përherë burimet natyrore parapërcaktojnë nivelin zhvillimor të shtetit. Por, natyrshëm lidhjet historike, kulturore, sociale e farefisnore përfaqësojnë nevojën e kapitalit simbolik për një konsenzuas social. Ndryshe, mbesin nënklasa ekonomike të predestinuara ndaj shtypjes dhe asimilimit. Andaj duhet larguar çfarëdo opsioni që shpien në tragjedi njerëzore.

Magazina.com
Reklamë – Magazina.com – Shit / blerje falas!! Vizito tani.

Për më tepër, sipas statistikave, qoftë serbët në Kosovë e qoftë shqiptarët në Serbi nuk janë as “gabime statistikore”. Qoftë me pjesëmarrjen aktive në ekonomi, qoftë në vlerësim të popullsisë apo qoftë në bruto produktin per capita. (shqiptarët janë mbi 1.8% në Serbi, ndërkaq serbët rreth 2.0% në Kosovë.) Si të tilla nuk përbëjnë ndonjë rëndësi të veçantë në nivel shteti, vetëm nëse veshen me pushtet ekzekutiv politik.
Gjithashtu, trajtimi si pakica kombëtare nga shtetet respektive në standarde të ndryshme nuk mundë të akomodojë brenda sistemit juridiko – politik shtetëror qoftë serbët në Kosovë, qoftë shqiptarët në Serbi. Sepse standardet e dyfishta për të drejtat e pakicave kombëtare në vazhdimësi do të nxisin kërkesën për reciprocitet si parim për të realizuar të drejtat politike, socio-ekonomike dhe të vetëqeverisjes. Në këtë mënyrë nuk do të përmbyllej cikli post-konfliktual për një marrëveshje historike të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, më kundërthënës është qëndrimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është plotësisht kundër ndryshimit të kufijve. “Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim” patë deklaruar me ngulmë Haradinaj.
Si mundë Presidenti Thaçi ta vë në tavolinën e Brukselit çështjen e Luginës së Preshevës për të u bashkuar me Kosovën, kur kryeministri është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve?
Si duket mes Presidencës dhe Qeverisë nuk ka kurrfarë bashkërendimi edhe pse është vënë në krye të dialogut Avni Arifi si bashkëpunëtori më i afërt i udhëheqësit të kësaj të fundit.

Në këtë dikotomi Lugina Preshevës mund perceptohet vetëm si një Kurban në mesë. Therja e kurbanit si i tillë bëhet për të dëshmuar arritjen më të lartë të devotshmërisë ndaj Krijuesit, në këtë rast a do të jetë Lugina e Preshevës kurbani për arritjen e ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.!?
Kërkesën e institucionalizuar të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për tu bashkuar me Kosovën a e kupton kryeministri Haradinaj aq serioze sa Presidenti Thaçi? Apo mes institucioneve më të lartë kuptohet si çështje për konsum të brendshëm -përkusuritje.
Por, një është e qartë vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës i treguar përmes referendumit kërkon bashkimin me Kosovën dhe jo ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve.

 Autori është nënkryetar i parë i PVD-së në Bujanoc, dhe shef i grupit të këshilltarëve
Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme