Gara zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut gjatë ditës së djeshme u përmbyll duke radhitur kandidatin shqiptar Blerim Rekën pas dy pretenduesve maqedonas për kryetar të shtetit, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska. Derisa Pendarovski e Siljanovska arritën të shkojnë në rundin e dytë, Reka sipas rezultateve preliminare, të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut, udhëhoqi bindshëm në komunat me shumicë shqiptare.

Sipas rezultateve preliminare të dala nga KSHZ-ja Perandovski (LSDM, BDI dhe rreth 30 parti të tjera) doli më i votuari me rezultat 42,68%, derisa menjëherë pas tij u rangua Siljanovska (VMRO-DPMNE), e cila arriti të grumbullojë 42,55% të votave. Ndërkohë kandidati shqiptar Blerim Reka mori gjithsej 10,43 % të votave të numëruara.

Pas publikimit të rezultateve, optimistë për fitore në balotazh u deklaruan të dy grupet politike maqedonase, edhe ai i Pendarovskit, edhe ai i Siljanovskës. Nga subjekti i kryeministrit Zoran Zaev u shprehën të bindur se Pendarovski do të shpallet president i ri i Maqedonisë së Veriut në rundin e dytë, që pritet të mbahet më 5 maj të këtij viti. “Stevo Pendarovski është në epërsi dhe fitorja në rrethin e parë është më se e qartë. Mbështetja e të gjitha bashkësive etnike pritet të konfirmohet me fitoren në rrethin e dytë. Pa dyshim se Stevo Pendarovski do të jetë president i ri i shtetit”, deklaroi Aleksandar Kiracoski nga kjo parti.

Ngjashëm u deklaruan edhe nga partia VMRO-DPMNE, përfaqësues të së cilës thanë se kandidatja e tyre paraqet zgjedhjen e popullit të Maqedonisë së Veriut. “Pushteti jopopullor është gjunjëzuar. Po udhëheqim në shumë komuna. Populli po fiton. Gordana Siljanovska është zgjedhja e popullit, populli është i mençur, energjik dhe çdoherë ka të drejtë. Pavarësisht presioneve të pushtetit, në përgjithësi kishim proces zgjedhor paqësor. Erdhi drejtësia kundrejt padrejtësisë”, tha sekretari i përgjithshëm i këtij subjekti, Igor Janjushev.

Ndërkaq kandidati Blerim Reka, i përkrahur nga dy partitë shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe lëvizja “Besa”, u shpreh i kënaqur me rezultatet, pavarësisht se u radhit pas dy kundërkandidatëve të tij. “Ne jemi shumë të kënaqur, kjo i ka kaluar pritshmëritë tona. Në të gjitha komunat shqiptare udhëheqin 3 me 1 në raport me kandidatët e tjerë. Vota kemi fituar edhe në komunat maqedonase. Koncepti ynë ‘Republika për të gjithë’ ka marrë mbështetje edhe në ato komuna ku nuk kemi shtrirje partiake. Kjo jep shpresë se Maqedonia do të jetë shtet i të gjithëve. Me votat e siguruara ne kemi delegjitimuar partitë tjera shqiptare dhe kjo paralajmëron një pranverë politike”, potencoi Reka gjatë një konference për medie, të mbajtur pas publikimit të rezultateve të para.

Ndërkohë në konferencë të përbashkët me Rekën lideri i ASH-së, Ziadin Sela, tha se përmes votës së tyre shqiptarët e përçuan në mënyrë të qartë mesazhin e pakënaqësisë me gjendjen aktuale. “Mund të konstatoj se shqiptarët e dhanë qartazi mesazhin dhe sot me votë treguan se janë të pakënaqur. Në të gjitha vendvotimet shqiptare profesor Reka fitoi 3 me 1 minimalisht, ndërsa diku edhe 4 me 1. Po të njëjtin mesazh e jep edhe dalja e ulët, e cila është bojkot ndaj definicionit të shumicës dhe jo të opozitës. Sot shihen gjurmët e shtetit të zbrazët, nga mospasja e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik”, deklaroi Sela.

Ndërkaq zëdhënësi i Shtabit Qendror të BDI-së, Arbër Ademi, konsideroi se me votat e marra Reka nuk ia doli t’u afrohet as kandidatëve të mëhershëm shqiptarë. “Blerim Reka ka përjetuar fiasko në këto zgjedhje. Ai as për së afërmi nuk iu ofrua kandidatëve të mëparshëm shqiptarë, duke u nisur nga Muharrem Nexhipi e të tjerët”, nënvizoi Ademi.

Ndërkohë, procesi i djeshëm zgjedhor në Maqedoninë e Veriut nga institucionet shtetërore atje është cilësuar i qetë, pa ndonjë incident serioz.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme