Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat për Shtetet e Bashkuara janë dy shtete sovrane duhet të jenë të qartë dhe duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të cilën do të duhej të arrinin Beogradi dhe Prishtina.

“Demarkacioni duhet të jetë i qartë dhe duhet të jetë pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfshijë, ndër të tjerash edhe çështjen e pronave, të drejtat e komunitetit serb, operacionet e pagesave, personat e humbur,…”, ka thënë Scott, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

“Gjithçka duhet të jetë në një vend. Duhet të ketë një marrëveshje të gjerë brenda së cilës duhet ta dini se çfarë është e imja, cila është e jotja, ku është vija midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë tutje Scott.

Këtë ai e ka ilustruar me shembullin që, kur blen një hartë gjeografike të Serbisë në një librari amerikane, ndryshon shumë nga harta që blen në Beograd.

Ndërsa i pyetur se cila është harta e vërtetë, Scott, ka thënë se për Shtetet e Bashkuara kanë parasysh hartën me kufijtë që Kosova ka pasur si një krahinë autonome, duke shtuar se shtetet sovrane mund të vendosin për kufijtë e tyre, dhe se për SHBA-të, Serbia dhe Kosova janë vende sovrane.

Ambasadori amerikan në Serbi është pyetur edhe çfarë lloj përgjigje Beogradi mund të presë nga presidenti amerikan Donald Trump, pas një letre të dërguar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Scott thotë se përgjigja është e njohur tashmë për shkak se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për heqjen e taksave.

“Presidenti Trump tha në një letër për Vuçiq se ai beson se kemi mundësinë për të arritur një marrëveshje dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë – ndryshe do të ishte për keqardhje”, citohet të ketë thënë Scott.

Ndërsa duke u rikthyer rreth arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Scott ka thënë se sipas mendimit të tij, marrëveshja duhet të arrihet drejtpërdrejt dhe nuk mund të imponohet nga jashtë as nga BE, SHBA, Rusia apo kushdo tjetër.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme