Faqja Kryesore Botë Gjermania dhe Franca do ta drejtojnë së bashku Këshillin e Sigurimit të OKB

Gjermania dhe Franca do ta drejtojnë së bashku Këshillin e Sigurimit të OKB

8 Min e Lexuar
0
0
31

Gjermania është anëtare e KS të OKB prej fillimit të vitit. Ndërsa sot ka marrë drejtimin e KS të OKB. Por jo e vetme, shkruan DW.

Çfarë do të thotë “drejtimi i dyfishtë”

Gjermania dhe Franca do ta drejtojnë së bashku Këshillin e Sigurimit të OKB. Ato të dyja janë tani anëtare të KS – Franca si anëtare e përhershme dhe Gjermania si anëtare për dy vite – 2019 dhe 2020. Franca ka drejtuar KS në mars, ndërsa në prill do ta drejtojë Gjermania. “Drejtimi i dyfishtë” është shenjë e miqësisë në politikën e jashtme. Francezët flasin për herë të parë për “partneritet” dhe të dy vendet duan që së bashku të drejtojnë KS. Berlini dhe Parisi kanë rënë dakord për bashkëpunim të ngushtë edhe në këtë organizëm me Marrëveshjen e Ahenit.

Agjenda e Francës dhe Gjermanisë

Fokusi i veprimit të Francës dhe Gjermanisë do të jetë evitimi i krizës në Afrikë. Ato do të mbështesin misionin në Mali dhe po punojnë për vendosjen e sigurisë në Burkina Faso. Gjermania dhe Franca synojnë përmirësimin e punës së organizatave humanitare në mbarë botën. Përgjegjësinë për zhvillimet në prill do ta ketë ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Një prioritet tjetër do të jetë veprimi kundër tregtisë me armë të vogla në Ballkan. Një bashkëpunim më i mirë në këtë fushë mes shërbimeve të sigurisë në këto vende duhet të jetë shembull për bashkëpunim edhe në fusha të tjera në këtë rajon. Gjermania dhe Franca janë të interesuar për angazhimin më të fuqishëm të femrave në politikë dhe evitimin e keqpërdorimit seksual në zonat e konflikteve. Një temë tjetër e rëndësishme për këto vende është edhe armatimi. Gjermania do të kryesojë në prill konferencën e KS të OKB kundër përhapjes së armëve bërthamore.

Prioritetet e deritanishme të Gjermanisë

Gjermania angazhohet prej fillimit për një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar. Gjermania dhe Franca duan së bashku t’u kundërvihen nacionalizmit në rritje të presidentit amerikan Donald Trump. Drejtimi i përbashkët është një shenjë në këtë drejtim, ku Gjermania ka një bashkëpunim të ngushtë edhe me Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Belgjikën.

Vendet e BE angazhohen për respektimin e denjë të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç janë marrëveshja për klimën dhe marrëveshja për kontrollimin e armëve bërthamore. Gjermania dhe Franca insistojnë në respektimin e këtyre marrëveshjeve në OKB. Ambasadori gjerman në OKB ka kundërshtuar së fundmi vendimin e SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Dobësia e OKB në rajonet e krizave

KS i OKB është shumë i përçarë kohët e fundit. Me vite të tëra nuk ka ndonjë marrëveshje për Sirinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëdha dhe interesave të ndryshme të SHBA dhe Rusisë. Moska dhe Uashingtoni kanë pikëpamje të ndryshme edhe ndaj Venezuelës. Rusia dhe Kina kanë qenë kundër propozimeve të fundit amerikane, ndonëse ato janë mbështetur nga evropianët. KS nuk është unik për këto çështje.

Gjermania pretendon të ketë një vend të përhershëm në KS
Prej ribashkimit të Gjermanisë është paraqitur ideja që ky vend të ketë një vend të përhershëm në KS të OKB. Me Marrëveshjen e Ahenit Gjermania dhe Franca kanë paraqitur së fundi idetë për reformën e KS, që nënkupton edhe një vend të përhershëm të Gjermanisë në KS. Argumentet e Gjermanisë janë: Paguesi i katërt më i madh në botë për nevojat e OKB, kontributi i madh në misionet ndërkombëtare, angazhimi i fuqishëm për ruajtjen e të drejtave të njeriut, klimës, kundër armatimit…

Për reformën e KS të OKB angazhohen edhe vende të tjera, si Brazili, Japonia dhe India, të cilat po ashtu kërkojnë një vend të përhershëm në KS. Ndaj Gjermania duhet të shfrytëzojë këtë rast për promovimin e vlerave për të cilat angazhohet.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Botë