Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Twitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen. Dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Borrell kishte shkruar se incidentet duhet të ndalen dhe të përqëndrohemi në dialog.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta të shqiptarëve në profilin e Borrellit në Twitter.

Komentues të shumtë e kanë pyetur se përse duhet të dialogohet në Bruksel luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Reagim ka pasur madje edhe nga Luan Dalipi shef i stafit të kryeministrit. Dalipi ka kërkuar nga Borrell që të mos e portretizoj dhunën e nxitur nga huliganët serb si problem ndëretnik, shkruan Telegrafi.

“I dashur z.Borrell, faleminderit për shqetësimin tuaj. Është e rëndësishme që të mos portretizohet dhuna fatkeqe e nxitur nga disa huliganë të orkestuar nga Beogradi si një problem ndëretnik midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë”, ka shkruar Dalipi

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme