Portugalia është futur në histori të Ligës së Kombeve, pasi është bërë kombëtarja e parë që e fiton trofeun e garës më të re të UEFA-s.

Portugezët e kanë mposhtur në finale Holandën me rezultat minimal 1-0 në stadiumin Do Dragao, ndërsa goli i vetëm u shënua në pjesën e dytë.

Pjesa e parë ishte më e baraspeshuar, pasi të dyja skuadrat u treguan më të kujdesshme, por që në të dytën ishte një tjetër skenar.

Portugalia e filloi më furishëm pjesën e dytë, duke arritur që ta shënojë golin e fitores në minutën e 60-të me anë të Goncalo Guedes, që pranoi një asistim nga Bernardo Silva.

Holanda tentoi në minutat e fundit që ta barazonte rezultatin, mirëpo portugezët u treguan më të kujdesshëm në mbrojtje, duke mos lënë edhe shumë hapësira.

Portugalia arriti të kualifikohej në finalen e Ligë së Kombeve, duke e eliminuar Zvicrën me tre golat e Cristiano Ronaldos, ndërsa sot (9 qershor) i mposhtën Tulipanët në finale.

Por, me triumfin e portugezëve në garën më të re në Evropë, nuk do të thotë se ata janë kualifikuar në Kampionatin Evropian (Euro 2020), por vetëm e kanë fituar Ligën e Kombeve.

Portugalia u tregua skuadër më kërkuese në Nations League dhe kjo u vërtetua dhe në gjysmëfinale, ku e mposhti 3-1 Zvicrën me het-trik të Cristiano Ronaldos. 

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Sport