Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Fatmir Hasani në një deklarim për Agjencionin e lajmeve “Beta”, theksoi se, ai votoi kundër ligjeve për këshillat kombëtare të pakicave, me që sipas tij, nuk janë respektuar ndryshimet e përbashkëta të pakicave kombëtare. Deputeti Hasani, paralajmëroi se është duke u përgadit që para ligjëvënësve të Republikës së Serbisë, ta paraqitet në gjuhën shqipe, ngase ligji i ri mbi pakicat kombëtare, i’a mundëson një gjë të tillë.

Shqiptari i vetëm në Kuvendin e Republikës së Serbisë, deklaron se, që nga java e ardhshme, pret që sekretariati i kuvendit të sigurojë një përkthyes, ku paraqitjet e tij në kuvend, do të jenë më të shpeshta, shkruan Beta, transmeton Lugina-Lajm.

“Do të jetë shumë më mirë, sepse unë sinqerisht për një paraqitje në kuvend në gjuhën serbe, duhet të përgaditem dy herë më shumë, me që nuk është njejtë si në gjuhën amëtare. Deri më tani, unë së pari kam shkruar fjalimin në letër dhe shpeshherë nuk kam mundur t’a marrë fjalën për çështje të caktuara pa u përgaditë, përveç disa pyetjeve të shkurtëra “, tha Hasani.

Ai deklaroi se, pavarësisht që ligjet e reja sjellin disa të mira, ai në parim nuk i ka votuar ato, sepse partia e tij, Partia për Veprim Demokratik, nuk e mbështet shumicën parlamentare, nga  fundi i vitit të kaluar, pasi që “për një vit të plotë, Qeveria serbe nuk ka treguar progres në përmbushjen e kërkesave të shqiptare, të cilat u vlerësuan si të pranueshëm nga zyrtarët serbë” – tha Hasani.

Hasani ka shtuar se ai nuk ka votuar për ligjet e këshillave kombëtare dhe pakicave kombëtare, sepse nuk i kishin marrë në konsideratë kërkesat e tij për rritjen e buxhetit për këshillat kombëtare, dhe që zyrtarët partiak, mund në të njejtën kohë të jenë edhe funksioner në këshillat kombëtare.

“Kundërshtimi kryesor është se ligjet në praktikë janë shumë të vështirë për t’u zbatuar, por mbi të gjitha nuk është pranuar kërkesa ime, që në letërnjoftim dhe pasaportë, emrat dhe mbiemrat e qytetarëve të pakicave kombëtare, të shkruhen në dy gjuhë; ketë rast shqip-serbisht”, ka thënë Hasani.

Deputeti Fatmir Hasani, ka votuar kundër ligjeve për pakica kombëtare, që ka zgjuar një interesim shtesë të mediave nga Beogradi, sepse, sipas tyre, shqiptarët nuk po pajtohen me ligjet e Serbisë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme