Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur antikushtetuese marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti në Uashington.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se kjo marrëveshje cenon dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

“Ata shkuan kinse për njohje nga Serbia e u pajtuan që ta heqin termin Republikë nga kjo marrëveshje, duke bërë që kjo marrëveshje të jetë në kundërshtim me nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës
Në pikën 7 të marrëveshjes përmendet dakordimi për studimin e fizibilitetit me qëllim të ndarjes së liqenit të Ujmanit. Termi ndarje që është përdorur në këtë marrëveshje ka kuptimin e pjesëmarrjes së Serbisë në pronësinë, kontrollin dhe menaxhimin e një pjese të këtij liqeni”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se kjo pikë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës neni 2 paragrafi 2.

“Pika shtatë e marrëveshjes që ka nënshkruar Hoti, shkel rëndë nenin 122 të Kushtetutës ku flitet për përdorimin e pasurisë dhe burimeve natyrore. Kjo pikë është edhe me nenin 121 të Kushtetutës që rregullon pronën, asnjë paragraf i këtij neni nuk lejon që prona e Kosovës të bartet juridikisht në një shtet tjetër me asnjë bazë juridike”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu theksoi se kjo marrëveshje nuk duhet të bëhet pjesë e sistemit juridik të Kosovës, sepse sipas saj Kosova përfiton vetëm humbje të pasurive natyrore dhe cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit.

Ish-ministrja në fund i bëri thirrje AAK-së dhe PDK-së që të përkrahin mocionin e iniciuar nga LVV-ja për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme