Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social, Facebook.

Kamberi ka shkruar se kërcënimi i ka ardhur nga një person i panjohur.

“Sot, përmes rrjetit social Facebook, nga një person i panjohur kam pranuar kërcënime të drejtpërdrejta për jetën time. ‘Mjaft me rrëmbime, ndërsa sa të përket ty personalisht, ruaje gjithmonë shpinën kur të shkosh diku. Nuk do të kuptosh asnjëherë kur do të vij për kokën tënde’ është teksti i mesazhit që kam marrë, përmes mesenger, nga përsoni Danijell Millkoviq”, ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, kjo është atmosfera në të cilën punojnë e jetojnë shqiptarët në Serbi.

“Kjo është atmosfera në të cilën punojnë, veprojnë dhe jetojnë shqiptarët, në Serbinë autoritare të Aleksandar Vuçiqit. Kjo klimë antishqiptare, për vite me radhë po stimulohet nga mediat proqeveritare dhe deklaratat e shpeshta fyese të qeveritarëve serb. Kjo atmosferë diskriminuese e kërcënuese është arsyeja kryesore e kërkesës tonë për zgjidhje simetrike të të drejtave të komuniteteve”, ka shtuar ai.

Kamberi ka thënë se puna e tyre vazhdon dhe se nuk do të ndalen për shkak të kërcënimeve.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme