Dy ditë pas rizgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK-së, zyrat e kësaj partie i ka vizituar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në një njoftim të lëshuar nga zyra për media e LDK-së, thuhet që temë diskutimi e këtij takimi ka qenë procesi i brendshëm zgjedhor në LDK, zgjedhjet e parakohshme, tema e sundimit të ligjit dhe dialogu me Serbinë.

“Kryetari Mustafa e njoftoi ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.

Ndëkohë Kosnett ka folur edhe për rikthim në dialogun me Serbinë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës”, vazhdon njoftimi.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme