Zavendëskryetari i komunës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa ka apeluar te mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave që kurrsesi mos ta zbatojnë urdhëresën e Ministrisë së Arsimit të Serbisë për intonimin e himnit shtetëror serb në shkolla.

Postimi i plotë i Ragmi Mustafës

Ministria e Arsimit të Republikës së Serbisë, pas deklaratës së Ministrit Ruzhiq, ka nisur vendimin e saj me shkresa nëpër secilën shkollë të Republikës së Serbisë, përfshirë këtu edhe shkollat e tre komunave shqiptare Preshevë, Medvegj e Bujanoc, me urdhëresën e intonimit të himnit të shtetit të Serbisë në fillim të orës së parë në të gjitha klasat e shkollave fillore me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021/22.

Ky vendim nuk mund të quhet ndryshe pos provokim ndaj pakicave kombëtare e sidomos asaj shqiptare, diskriminim që i bashkangjitet atyre paraprake, si: ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare të pakicave, mos sigurimi i teksteve të mirëfillta shkollore, jo inkuadrimi i përfaqësuesve të pakicave nëpër institucione shtetërore, mosnjohja e diplomave të arritura në Republiken e Kosovës, jo sigurimi dhe mos realizimi i projekteve të ndryshme me qëllim avancimin dhe gjithpërfshirjen e pakicave në qeverisje.

Në vend se prioritetet e kësaj Ministrie të fokusoheshin në mbrojtje nga Covid 19, në krijimin e një atmosfere sa më produktive të mësim-nxënies dhe realizimin e projekteve demokratike e zhvillimin e një mendësie pro evropiane, që Serbia synon vazhdimisht të thirret, ajo me një vendim të tillë duket mëse qesharake, sidomos në rrethana të tilla, duke ndjellur ndasi dhe divergjencë. Prandaj, ftohen mësuesit, arsimtarët e profesorët shqiptar të mos e zbatojnë në asnjë mënyrë këtë urdhëresë skandaloze të ministrisë së arsimit. Nëse duhet të intonohet himni edhe ne shqiptarët kemi himnin tonë dhe Ai le të intonohet e jo himni shtetror serb.

#Kundra himnit serb në shkollat shqipe

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme