Disa prej mediave në vend kanë raportuar për një alarm të ngritur nga misionet e huaja në Kosovë, e që flasin për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, deri në fund të nëntorit. Gazeta Express ka siguruar një nga mesazhet që një mision i huaj në Kosovë u ka dërguar punonjësve të saj. Për këtë është pyetur edhe policia e Kosovës.

Mediat si Epoka e Re, Koha Ditore dhe Albanian Post kanë raportuar gjatë ditës se ambasadat në Kosovë u kanë kërkuar punonjësve të tyre që të shmangin turmat, pasi mund të planifikohet një sulm.

Një mesazh që një nga misionet e huaja në Kosovë ua ka shpërndarë punonjësve të saj thotë se një person mund të planifikojë sulm terrorist, prandaj u ka kërkuar atyre t’i evitojnë turmat.

Në këtë njoftim nënvizohet se policia po e monitoron të dyshuarin. Pa u përgjigjur specifikisht për rastin, Policia e Kosovës i ka thënë Gazetës Express se ajo ndërmerr masat në interes të ruajtjes së sigurisë publike, varësisht nga natyra e informacionit.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave,

ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, thonë nga PK.

Ndonëse mediat kanë raportuar se ambasadat e huaja kanë njoftuar punonjësit e tyre, jozyrtarisht disa punonjës të disa prej misioneve të huaja diplomatike kanë thënë se nuk kanë marrë ndonjë mesazh për ndonjë rrezik.

Mesazhi kërcënues thuhet se u është dërguar edhe personalisht punonjësve të një misioni të huaj dhe ai ka nisur të shpërndahet më pas edhe në rrjete sociale.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme