Gjatë mëngjesit të sotëm prindërit e fëmijëve të ciklit të ultë pranë Shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë u njoftuan nga mësuesit që të mos i sjellin fëmijët në shkollë, për shkakun që tavani kishte rënë. Arsye për këtë havari në objektin e sapo renovuar të kësaj shkolle ishte pëlcitja e gypit.

Kjo gjendje, e cila përshkruhet përmes fotografive të bëra sot në mëngjes, dëshmon më së miri seriozitetin dhe nivelin e përgjegjësisë së punëkryesve, të cilët si kriter të përzgjedhjes e patën vetëm afërsinë me kryetarin e komunës dhe rrethin e tij të ngushtë të interesit.

Partia për Veprim Demokratik, kishte ngritur disa herë alarmin për mënyrën e përzgjedhjes së punëkryesve, e në rastin e renovimit të shkollave kishte edhe anulim të fituesve të tenderit, me qëllimin e vetëm që të përzgjidhen ndërmarrjet që sponzorizojnë edhe fushatën e APN së Shqiprim Arifit.

Punimet, të cilat i financon Zyra për Investime publike pranë Qeverisë së Serbisë, kanë filluar qysh në maj të vitit 2018, e është dashur të përfundojnë para fillimit të vitit shkollorë 2019/20, po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Këtë gjendje, edhe më skandaloze e bëri reagimi i drejtorisë së Shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, e cila përgjegjëse për këtë gjendje i bën fëmijët e kësaj shkolle, të cilat sipas verzionit komplet jologjik të drejtoreshës i ka bërë një fëmijë i papërgjegjshëm.

Edhe drejtoresha, e cila pozitën e ushtrueses së detyrës e mban në kundërshtim me të gjitha normat e Ligjit mbi arsimin fillorë, e vetëm për shkakun e përkatësisë së saj politike me APN e Shqiprim Arifin, për çdo dështim njejt sikur kryetari i saj fajin e gjen tek të tjerët.

I vetmi fat që na gëzon në tërë këtë ngjarje, është që kjo ka ndodhur gjatë kohës që fëmijët nuk kanë qenë prezent, duke evituar kështu ndonjë tragjedi eventuale e cila do të ishte me pasoja fatale e të pariparueshme.

Andaj, bëjmë thirrje kryetarit të komunës që të jetë në nivelin e përgjegjësisë duke kërkuar llogari nga punëkryesit për këtë gjendje në shkollë, duke ndërmarrë urgjentisht çdo masë të nevojshme në evitimin e havarive të ngjashme e njëkohësisht duke parandaluar çfarëdo pasojë e tragjedi për fëmijët tanë.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje drejtorisë së kësaj shkolle, gjegjësisht drejtoreshës, që në këso situata sikur kjo e sotit, të harrojë që është drejtoreshë e vendosur nga politika, të mos reagojë sikur eprori i tij që të gjejë përgjegjësit tek fëmijët, por të jetë në nivelin e përgjegjësisë së pozitës të cilën e ushtron.

Preshevë, 18 shtator 2020

Shërbimi për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme