Pas deklaratës skandaloze të kryeministres serbe, Ana Brnabiq, e cila i quajti shqiptarët “njerëz të malit”, ka reaguar edhe Meliza Haradinaj, këshilltarja e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj-Stublla tha se Serbia mbetet e zhytur në sistem të qelbur, për shkak të deklaratave të tilla, sikurse kjo e Brnabiq.

“Do të ishte e papranueshme në Kosovë e kudo në botë, por është paradoksalisht normale që në Serbi, në pasditen e sotme, në prani të Ambasadorit të BE-së Sem Fabrizi, kryeministrja serbe Brnabiq i quan shqiptarët ‘njerëz të malit’ – duke aluduar në vendimin për vendosjen e taksës 100%”, ka thënë Haradinaj.

“Pikërisht ashtu siç konfirmoi edhe sot Raporti i Komisionit Evropian, Serbia mbetet e zhytur në sistem të qelbur, pikërisht për shkak të politikanëve si kjo, që pretendojnë kinse punojnë për vlera e standarde evropiane, por sytë dhe zemrën e mbajnë kah Rusia!”, u shpreh ajo.

Ndaj deklaratës së Brnabiq pati reagime edhe në Kosovë. Kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli deklaroi se kryeministres aktuale serbe ia ka ndaluar hyrejn në Kosovë, pas deklaratës së saj skandaloze për shqiptarët.

Para disa muajve, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ofendoi shqiptarët, kur tha se “dikush duhet t’i zbusë shqiptarët”, gjatë një vizite në Mitrovicën e Veriut disa muaj më parë.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Më shumë nga Wikiliks
Shfaq më shumë në Lajme